Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia në duelet pritëse po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një “fortesë” të vërtetë në kampionatin shqiptar, duke konfirmuar se në shtëpinë e saj është thuajse e pamposhtur. Skuadra shkodrane po zhvillon një edicion mbresëlënës në stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku kundërshtarët e kanë pasur tepër të vështirë të dalin me pikë.
Këtë epërsi në fushën e vet e vulosi edhe fitorja e fundit 3-1 ndaj Tiranës, një triumf me përmbysje që rriti edhe më shumë moralin e kuqebluve. Përballë bardhebluve, Vllaznia tregoi karakter dhe forcë reagimi, duke kthyer disavantazhin në avantazh me një paraqitje bindëse në pjesën e dytë.
Me suksesin ndaj Tiranës, 9 herë kampionët e vendit kanë grumbulluar 37 pikë në 14 ndeshje të zhvilluara si pritëse gjatë sezonit 2025-26. Statistikat flasin qartë për dominimin e tyre: 25 gola të shënuar dhe vetëm 8 të pësuar, një bilanc që dëshmon jo vetëm efikasitet në sulm, por edhe siguri në repartin difensiv.
Këto shifra e vendosin Vllazninë me diferencë të konsiderueshme nga ndjekësja më e afërt në renditjen e ndeshjeve brenda, Egnatia, e cila ka grumbulluar 29 pikë në fushën e saj. Epërsia prej tetë pikësh thekson superioritetin e ekipit shkodran kur luan para tifozërisë së zjarrtë.
Nën drejtimin e trajnerit Edi Martinit, kuqeblutë numërojnë 12 fitore, 1 barazim – 1-1 ndaj Bylis Ballsh – dhe vetëm 1 humbje, 0-1 përballë Teutës në Shkodër. Këto dy skuadra mbeten të vetmet që kanë arritur të marrin pikë në “Loro Boriçi” gjatë këtij edicioni deri më tani.
Forma e shkëlqyer në shtëpi po rezulton një armë vendimtare në garën për objektivat madhorë të sezonit. Nëse Vllaznia vijon me këtë ritëm dhe ruan të paprekur fortesën e saj, atëherë pretendimet për titull apo për zonën europiane bëhen gjithnjë e më konkrete. Shkodra beson, ndërsa kuqeblutë po tregojnë se në fushën e tyre, fjala e fundit u takon gjithmonë atyre.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


