Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Oversport, Klevisa Alinani, ish-futbollisti i kombëtares Andi Lila ka analizuar miqësoren Shqipëri-Itali, që u luajt mbrëmë në stadiumin “Air Albania”.

“Një ndeshje e mrekullueshme, jo nga rezultati, por nga ajo që futbollistët dhanë në fushën e lojës. Skuadrat nuk u mbrojtën në asnjë moment dhe u bë një ndeshje e bukur dhe e hapur. Skuadra jonë kombëtare, pavarësisht humbjes bëri një ndeshje shumë të bukur. Të dyja skuadrat janë në ndërtim e sipër dhe futbollistët donin të tregonin vlerat e tyre më të mira.

Kombëtarja jonë e nisi mjaft mirë lojën dhe u shfrytëzua faktori fushë. Në 15 minutat e para skuadra luajti shumë mirë, sulmoi dhe vuri në presion kundërshtarin. Arritëm të shënonim golin e parë, një gol historik, pas shumë ndeshjeve të luajtura kundër Italisë.

Ismajli? Një gol i gatuar te Empoli, pasi Ismajli shënoi pas pasimit të dhënë nga Bajrami. Një gol i historik i shënuar kundër një kundërshtari të madh. Shqipëria tregoi që ka grintë dhe zjarr në momente të caktuara. Shpresoj që ky zjarr të vazhdojë jo vetëm me episode, por për një kohë më të gjatë.

Kush iu bëri përshtypje nga lojtarët italianë? Zaniolo. Sepse ishte futbollisti që lidhte repartet dhe ishte një rrezik konstant për mbrojtjen tonë. Edhe Verratti bëri një ndeshje shumë të mirë, është një lojtar i pamarkueshëm. Bare bëri një ndeshje shumë të mirë, i kishte munguar kombëtares, pasi është shumë i rëndësishëm në të dyja fazat e lojës. Bonucci tregoi se është një profesor në mbrojtje.

Mbrojtja e Shqipërisë? Ne pësojmë gola shumë të thjeshtë, nga krahët. Një sëmundje e vjetër. Pësuam sërish nga krahët. Edhe lojtarët e krahut duhet të ishin më agresivë te goli i parë. Një gabim i Kumbullës na kushtoi golin e dytë. Megjithëse ai është një lojtar me shumë vlera, që meriton të luajë akoma më shumë minuta me Romën.

Superiorja në kombëtare? Për herë të parë kishim një lojtar të Partizanit në kombëtare pas shumë vitesh. Skuka sapo u fut në fushë bëri një veprim shumë të bukur. E them gjithmonë që kampionati ynë ka lojtarë shumë cilësorë, që meritojnë të grumbullohen në kombëtare. Mancini aktivizoi një 16-vjeçar, ndërsa ne akoma nuk e kemi gjetur një lojtar kaq të ri. Ndoshta trajnerët tanë, jo vetëm ai i kombëtares, por edhe ata në Superiore, Kategorinë e Parë dhe të Dytë duhet të guxojnë më shumë dhe të aktivizojnë lojtarë të rinj.

Kujtimet e Lilës ndaj Italisë? Kam luajtur 5 herë kundër Italisë, 2 herë me kombëtaren e shpresave. Miqësorja në Gjenova u zhvillua në një atmosferë fantastike. Të pesta këto sfida i kam humbur. Sot u kënaqa ndonëse në tribunë. Momenti më i bukur ishte kur u këndua himni i flamurit. Djali im ka lindur në Parma dhe me fanellën e Italisë veshur shoqëronte futbollistët shqiptarë, Elseid Hysaj në fushë, u mallëngjeva shumë. Më mungon futbolli i luajtur, por duhet të luajnë të rinjtë dhe shpresoj që Reja dhe çdo trajner të aktivizojë djemtë e rinj.

Tifozët? Tifozët kuqezi janë të mrekullueshëm. Ata kanë treguar sa të mira janë në Europian, pasi nuk shkaktuan asnjë trazirë në Euro 2016. Tifozët duhet të mbështesin skuadrën edhe në momentet që nuk luan mirë ose kur pëson gol, sepse ai është momenti që futbollistët kanë më shumë nevojë për mbështetjen e tyre”, ka thënë Andi Lila për Oversport.