Humbja e fundit në kampionat përballë Egnatias duket se i ka kushtuar stolin trajnerit të Laçit, Dejan Vukicevic. Në fakt, kurbinasit jo vetëm ndaj rrogozhinasve, por në përgjithësi në 12 ndeshjet e para të kampionatit kanë zhgënjyer në paraqitje teksa renditen të shtatët me vetëm 14 pikë të grumbulluara.

Në këtë formë, drejtuesit kurbinas ndajnë rrugët me teknikun malazez që ishte në aventurën e dytë te Laçi. Nga ana tjetër, kurbinasit nuk humbasin kohë dhe “shënjestrojnë”, Dritan Mehmetin si trajnerin e radhës.

Ish-i i Partizanit është i lirë për momentin dhe paraqitja e tij me të kuqtë duket se i ka rënë në sy për mirë drejtuesve të Laçit.

Pritet që në vijim të bëhet edhe zyrtarizimi i Mehmetit te Laçit, ndërsa tekniku do të kishte kohën e duhur në dispozicion për të orientuar skuadrën sipas mekanizmave të tij pasi aktualisht kampionati shqiptar është i ndërprerë.