Pak ditë ndajnë nga fillimi i Botërorit 2022 dhe klima po nxehet për fat të keq me akuza të rënda në adresë të vendit organizator, Katarit.

Aktiviteti i cili padyshim është më i diskutuari i të gjitha kohëve, nis me një akuzë korrupsioni ndaj ekipit vendas, për të cilin pretendohet se ka paguar përfaqësuesen e Ekuadorit që të humbasë në ndeshjen hapëse të dielën.

Amjad Taha, drejtori rajonal i “British Middle East Centre for Studies and Research” (Qendra Britanike e Lindjes së Mesme për Studime dhe Kërkim), ka postuar në rrjete sociale akuzën e tij të rëndë se Katari ka paguar 7,4 milionë dollarë për të fituar ndeshjen e hapjes e për të mos u turpëruar në sytë e të gjithë botës në këtë aktivitet.

Specifikisht, Taha insiston se kjo shifër është paguar që sfida të mbyllet me rezultatin 1-0 për Katarin, me një gol të shënuar në pjesën e dytë të ndeshjes, nga e cila na ndajnë vetëm 3 ditë.