Klubet e Premier Ligës kanë frikë se rreth 50 futbollistë mund të kundërshtojnë idenë e rifillimit të sezonit aktual, në një kohë kur zyrtarët anglezë po shtrojnë bazat për “Projektin e Rifllimit”.
Ndeshjet në kampionatin anglez janë ndalur pas përhapjes së COVID-19, por ndryshe nga Franca dhe Holanda që vendosën të ndërprisnin përfundimisht sezonin aktual, Premier Liga dëshiron ta përfundojë atë.
Mirëpo, edhe pse shumica e skuadrave dhe futbollistëve janë për rifillimin e sezonit, ka edhe nga ata që nuk janë dakord me këtë gjë. Në fakt klubet e Premier Ligës i frikësohen rreth 50 futbollistëve që mund të dalin kundër, në këtë mënyrë duke rrezikuar anulimin e sezonit, raporton “Mirror”.
Një nga drejtuesit që ka shprehur shqetësim në lidhje me refuzimin e lojtarëve për të luajtur përsëri për këtë sezon është dhe ai i Brighton, Paul Barber që thotë: “Kemi një futbollist partnerja e të cilit është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Duhet t’i marrim mendimin nëse dëshiron të luajë apo jo kurdo që të vijë momenti. Po ashtu duhet të dimë dhe çfarë mendojnë futbollistët në lidhje me protokollin që do të biem dakord.”