Amir Bilali, ish-mbrojtës shqiptar i Partizanit në sezonin 2019-2020, e shikon favorite Astanën për të kaluar në fazën e grupeve. Por, njëkohësisht 29-vjeçari vlerëson shumë të kuqtë.
Në prononcimin për “Sports.kz”, mbrojtësi që ka luajtur në vitin 2022 me klubin kazakistanas, Akzhaik, tregon se do të ndikojë shumë fusha me bar artificial.
“Pres të jetë një lojë cilësore nga të dyja skuadrat. E njoh mirë Astanën dhe Partizanin. Ekipi kazak ka më shumë përvojë. Megjithatë, në futboll, veçanërisht në ndeshjet kualifikuese, skuadrat luajnë më shumë taktikisht dhe çdo gjë ndodh.
Astana është favorite në këtë përballje, por unë jam shqiptar dhe ne kemi mentalitetin e luftëtarëve. Pra, do të luftojmë deri në minutën e fundit. Më parë kam luajtur për Partizanin dhe kam pasur marrëdhënie të mira me presidentin dhe drejtorin ekzekutiv të klubit. Tifozët nga Kazakistani duhet të dinë se Partizani është një ekip i fortë, që ka fituar titullin në sezonin e fundit dhe është përforcuar me disa lojtarë cilësorë.
Partizani po forcohet çdo ditë e më shumë, por unë mendoj se terreni artificial në stadiumin e Astanës do të ndikojë në performancën e tyre. Kur luaja për Akzhayik, humbëm nga Ordabasi në këtë stadium në finalen e Kupës së Kazakistanit. Gjithsesi, për të dyja skuadrat këto do të jenë ndeshje të vështira”, deklaroi Bilali.