Në prag të startit të fazës së dytë, Bylisi është duke u përgatitur për transfertën që do të luajë të shtunën kundër Kastriotit në stadiumin e Kamzës.

Në javën e parë të këtij kampionati ballshiotët fituan 2- 0 ndaj krutanëve, ndërsa edhe këtë herë do të kërkojnë rezultat pozitiv.

Në katër javët e fundit skuadra e Bellait ka marrë vetëm 1 pikë, pikërisht ndaj Egnatias në Ballsh. Trajneri dhe stafi i tij kanë zhvilluar një analizë për ndeshjen e fundit në Shkodër. Bellai ka kërkuar nga lojtarët që të jenë më të qetë para portës kundërshtare, ashtu sikurse i ka përgëzuar edhe për volumin e madh të lojës që bëjnë, si dhe qarkullimin e topit.

Ndër të tjera është marrë shumë edhe me aspektin psikologjik, duke u munduar që t’u largojë stresin e tri humbjeve të fundit, duke vënë në dukje se tersi ka kaluar tashmë me mbylljen e fazës së parë.

Mallakastriotët shpresojnë se do t’i kthehen rezultateve pozitive të shtunën, në një kohë që shkojnë më të plotë se kurrë në këtë takim. Nga ana e stafit konfirmohet se nuk ka probleme dëmtimesh, ndërsa pritet vetëm rikthimi nga Kombëtarja i qendërmbrojtësit Stivian Janku.

Në Ballsh vëmendje merr edhe U-21, ku pritet që sot trajneri Bellai t’u japë minuta lojtarëve që kanë luajtur pak si Felipe Souza apo Atshimene, në mënyrë që ata të kapin sa më shpejt formën optimale. Bylisi ka organikë të pasur, teksa mes kampionatit dhe kupës janë provuar 35 lojtarë.