Sukseset e njëpasn jëshme në Bundes ligë dhe Champions e kanë hedhur pas krahëve eliminimin surprizues në raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë. Tomas Tuhel në prag të duelit të javës së 11-të në Bundesligë ndaj Haidenhaim ka shqyrtuar filozofinë e kundërshtarit në konferencë, teksa pa hezituar u ka dhënë përgjigje edhe fjalëve të ish-futbollistit Mehmet Sholl se ai e kishte “projektuar” qëllimisht eliminimin në Kupë, si shenjë ndaj bordit rreth përforcimeve të nevojshme.

KRITIKAT E SHOLL- ”Absolutisht marrëzi. S’e kuptoj se nga i shpik këta skenarë Mehmet Sholl. E përdora atë takim për t’u dhënë hapësira lojtarëve me më pak ndeshje në këmbë, sikurse edhe shansin e çlodhjes pjesës tjetër që është përfshirë thuajse në çdo ndeshje gjatë këtij sezoni. E marr përsipër peshën e lëndimit, ama nuk ka asnjë lidhje me aludimet e Sholl”, tha me nota të larta kundërshtuese trajneri i bavarezëve.

Ish-lojtari i Bajernit, Sholl, e ka kritikuar se tekniku i kampionëve ia bëri vetë “gropën” skuadrës me formacion të dytë ndaj Sarbryken. Vetëm pak ditë pas sherrit me Ditmar Haman, Tuhel tashmë është vënë në “shënjestrën” e ish-mesfushorit 53-vjeçar.

TË RIKTHYER- ”Falënderoj zotin që Serzh Gnabri është në gjendje të mirë fizike dhe sot do të luajë pa të voglin dyshim. Problemet fizike kanë kaluar. Të shohim se si do ta rreshtojë ekipin, por nuk jap fjalën nëse do të zbres nga minuta e parë apo si zëvendësues. Mbetet ende jo i sigurt inkuadrimi i Goreckës dhe Upamekanos. Kim, Dejvis dhe Koman janë disa emra potencialë që mund të pushojnë. Guerreiro i ka kryer të gjitha ushtrimet në seancat e radhës përgatitore edhe pse ai do të jetë në fushë një pjesë loje. Portieri Perec u largua që dje për të qenë gati në kampin e përfaqësueses izraelite, marrë në konsideratë numrin e ngjeshur të tyre”.

DUELI I “10”-shave- ”Si Myler ashtu edhe Musiala gëzojnë karakteristika të ndryshme. Xhamali driblon nga thellësia dhe përdor shpejtësinë ekstreme për t’i shkuar deri në fund aksionit, kurse sulmuesi veteran pëlqen të luftojë më thjeshtë në zonën e golit. Myler mbetet më pak agresiv në hapësirën e penalltisë se futbollisti 20-vjeçar. Të dy e meritojnë të jenë në fushë për të njëjtin pozicion, pavarësisht tipologjive të ndryshme në bazë interpretative. Ne do të përshtatemi në situata të caktuara”, tha Tuhel, i cili la të kuptohet se Musiala është i paprekshëm në profilin e “10”-shit, ndonëse Myler ka një “jetë” në Mynih dhe eksperienca e 34-vjeçarit ka dhënë fryte edhe gjatë ciklit ekzistues.

SFIDUESI- ”Së fundmi ekipi i Haidenhaimit mposhti Shtutgartin, të cilët na kanë surprizuar të gjithëve në vigjilje të etapës aktuale. Grup tepër i fortë në luftën ajrore, sikurse edhe në goditjet standarde. Ata reagojnë në mënyrë fleksibël kundër rivalit dhe i përshtaten lojës. Punëtorë në masë dhe japin shpirtin në fushë”, shtoi me nota të larta lavdëruese trajneri i kampionëve të Bundesligës për rivalin e sotëm.