Vllaznia do jetë nesër në orën 16:45 përballë Teutes në javën e 11-të të Superligës. Takimi do zhvillohet në “Elbasan Arena” për shkak se fusha e stadiumit “Niko Dovana” ende nuk është gati. Por kjo do jetë një sfidë e veçantë për disa nga futbollistët e të dy skuadrave.

Kështu tek durrsakët sulmuesit Ildi Gruda dhe Silvio Zogaj janë prodhim i akademisë Vllaznia. Të dy e dinë çdo të thotë të mbash veshur fanellën kuqeblu. Madje Zogaj ka luajtur me Vllazninë edhe në Superligë ndërsa Gruda nuk e ka pasur këtë fat pasi është larguar shumë i ri nga kampionati ynë drejt Maltës e më pas për tu rikthyer prej 3 sezonesh tek Teuta.

Por edhe tek Vllaznia ka nga ata lojtarë që kanë përfaqësuar Teuten në të shkuarën. Esin Hakaj u shndërrua në një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në vend kur mbante veshur fanellën e durrsakëve. Po ashtu Arsid Kruja ka luajtur me Teuten në të shkuarën.

Arlind Kalaja para 2 sezonesh ishte pjesë e durrsakëve me të cilët madje arriti të fitonte edhe trofe. Pra në të dy kampet ka ish-lojtarë që e njohin shumë mirë kundërshtarin që do kenë përballë nesër në Elbasan.
Endri ÇINARI