Për portierin e Egnatias, Bruno Puja, përballja e kësaj jave është ndryshe nga të tjerat. Kjo, pasi për 3 vite e gjysmë, Puja ka luajtur me fanellën e Kastriotit pas largimit nga Besa. Megjithatë, ai tashmë bën dy sezone që është pjesë e Egnatias, ndërsa njeh më mirë se kushdo psikologjinë dhe mentalitetin e krutanëve.

Sipas Pujës, ata kanë një karakter të fortë, ndërsa preferojnë luftën për topin e parë dhe dorëzohen vetëm nëse u ke shënuar dy gola.

“Kam veshur fanellën e Kastriotit për mbi 3 vite dhe jam krenar për atë eksperiencë. I njoh mjaft mirë, qoftë për natyrën, grindën dhe motivimin që ai klub ka. Ata nuk kanë pasur yje, por grupin dhe sedrën e tyre në fushë. Luajnë fort, nganjëherë ashpër dhe nëse nuk u përgjigjesh me të njëjtin shpirt gare, bëhen të rrezikshëm. Më qartë kjo u shfaq me Tiranën. Kastrioti bëhet i rrezikshëm nëse e lejon të bëjë lojën që do”, ka thënë fillimisht portieri në prononcimin për “Panorama Sport”.

SITUATA
Puja tregon më tej situatën që mbretëron në kampin rrogozhinas. Për portierin, atmosfera është mjaft pozitive dhe se tashmë grupi ndihet vërtet i harmonizuar.

“Hera e parë që nga janari që ekipi ka vetëm një mungesë, pasi për fatin tonë të keq, që kur trajneri Ramadani ka ardhur, në çdo përballje kemi qenë pa 3-4 lojtarë. Vijmë pas një fitoreje plotësisht të merituar me Skënderbeun, duke treguar se Egnatia e meriton mbijetesën dhe se ka në përbërje grup më cilësor se disa rivalë tanët. Ajo që mua më pëlqen qëndron në faktin se nuk ekziston presioni në asnjë formë, as nga presidenti dhe as trajneri.”

“Jemi të qetë dhe gjithçka është lënë në ndërgjegjen tonë. Kemi nisur përgatitjet për takimin me krutanët, që do të jetë një përballje si Skënderbeu, ku vlen 6 pikë. Po e përgatisim me qetësi këtë sfidë, duke analizuar në detaje lojën e Kastriotit. E thashë edhe më lart se tashmë Egnatia funksionon si një grup, ku të tria repartet luajnë në harmoni të plotë. Jemi koshientë se ndaj krutanëve kërkohet shumë luftë sportive dhe mbulime të rrepta të sulmuesve të tyre.”

“Kemi një mbrojtje të konsoliduar dhe këtë e kemi dëshmuar në të gjitha përballjet e fundit. Po kështu mesfusha është më agresive dhe më mbështetëse për sulmin. Sa për sulmuesit, besoj se kur janë në formë, ata kërcejnë ‘samba’ në fushë, siç bënë me Skënderbeun. Kemi jo vetëm dëshirën, por edhe bindjen se Kastriotit do t’i rezervojmë fatin që pati Skënderbeu. Vetëm në këtë mënyrë gjykoj se do të mbetemi fort në garë për të treguar në vijim edhe më shumë nga vlerat tona”, përfundoi Puja. /PANORAMA-SPORT/