Gazetari i njohur sportiv, Dritan Shakohoxha, i cili ka qenë kandidat në zgjedhjet e fundit në FSHF, nuk i ka kursyer kritikat për kampionatin shqiptar dhe skemën e re të Superiores që ka miratuar së fundmi Komiteti Ekzekutiv. Në rubrikën “Opinion” në televizionin “Neës 24”, Shakohoxha shtoi se do të publikohen përgjime që do të sjellin çudira në sportin shqiptar. Sipas tij, ka nisur frika tek njerëzit që punojnë aktualisht në institucionin e futbollit shqiptar.

PËRGJIMET NË SPORT

“FSHF e ka çdo komunikim në rrjete, që duket sikur janë sekrete, por nuk janë të tilla. Zërat thonë se do të ketë publikime dhe mediat do të mbushen me komunikime të tilla. Komunikimet në aplikacione të sigurta nuk janë më. Nga sporti do të ketë çudira. Ka frikë tashmë! Sa më lart të hipësh, aq më shumë bën ftohtë”, ka thënë Shakohoxha.


SKEMA E SUPERIORES

“Teorikisht askush nuk ka mendim pozitiv. Vetëm ata që e kanë shpikur… Është diçka që nuk i jep vlerë udhëheqësit, por zhvlerëson një pjesë të dukshme të kampionatit. Në fillim ndihen skuadrat dhe më pas rivaliteti, por kjo e heq vlerën. Kampionati shqiptar e ka pasur vlerën çdo vit e më poshtë dhe këtë sezon ka pasur numrin më të paktë të tifozëve. Këtë problem ka kampionati shqiptar dhe transmetimi në kompaninë tjetër ka treguar se kampionati nuk është menaxhuar mirë. Është parë më mirë pjesa ekonomike dhe pjesë ku nuk fitojnë klubet e futbollit, por FSHF.

As ata që e kanë krijuar nuk e dinë kujt i shërben. Një sezon i dështuar dhe një skemë e dështuar e një kampionati pa vlerë reale nuk bëhet duke ndërruar skema. Nuk rritet vlera në këtë mënyrë. Janë përpjeke aventureske për të ndryshuar diçka. Kjo formulë në opinion nuk u diskutua kurrë. U diskutuan të tjera gjëra dhe erdhi e miratuar. Është diçka abuzive, sepse ka vetëm FSHF dhe nuk ka klube. Klubet bëjnë ata që vendosin të tjerët në dëmin e tyre dhe nuk ka forcë reagimi. Një herë në dy vjet kur kampionati shkon keq, shpiket diçka.

Ishte liga një herë dhe klubet patën diçka ku liga bllokoi kampionatin. U zhduk liga dhe doli një anë e re, një arnim në kostumin e FSHF-së. Hajde mendoje që je në fund dhe skuadra që ka 15 më pak, fiton kampionatin me 2 ndeshje. Ti ndoshta ke 2 dëmtime dhe penalizohesh. Kupa është me eliminim, por jo kampionati. Nëse je ekip i vogël ka mundësi të fitosh. Edhe Besëlidhja ka shkuar në gjysmëfinale. Siç kemi qenë edhe ne që kemi mundur të mëdhatë në një ditë. Në kampionat fiton më i miri nga të gjitha javët”.

SHTIMI I EKIPEVE

“Është hedhur edhe ideja me 14 skuadra dhe Shqipëria nuk ka kapacitet për mendimin tim. Jo të gjithë luajnë për të dalë kampion. Një skuadër e një qyteti mund të jetë kompetitive dhe të fitojë më shpesh e të bëjë më shumë festë sesa të luajë në kategori të lartë dhe të mos përballet dot. Duke shtuar skuadra nuk rritet vlera. Në Shqipëri është vështirë të bëhen 10. Nuk po shohim skuadra që po bëjnë diçka përveç 5 skuadrave. Nuk po bëhen dot 22 lojtarë”, theksoi Shakohoxha.

REAGIMI I VLLAZNISË

Përpara se skema të miratohej nga Komiteti Ekzekutiv, pati një reagim të presidentit Alban Xhaferi në “Panorama Sport”, ku kërkonte që “Final 4” të zhvillohej edhe në Shkodër, jo vetëm në kryeqytet. Në lidhje me këtë, Shakohoxha u shpreh: “Nuk luhen në kryeqytet, luhen në stadiumin e Federatës dhe paratë i merr federata dhe jo klubet. Asnjëherë nuk është menduar të luhet të shtëpia e njërit. Pse të mos mendojmë që Partizani, Tirana dhe Dinamo favorizohen kundrejt Vllaznisë apo Teutës. Skuadrat shqiptare kanë përqindje shumë të vogël të fitores jashtë shtëpisë. Është e padrejtë të caktosh fituesin e kampionatit në Tiranë dhe duhet garë që njerëzit të ndjekin.

Kemi kampionat me stadiume bosh. Nuk mund të jesh krenar pse mbush tre herë stadiumin. Po nëse nuk është Tirana dhe Partizani mes katër më të mirave, kush do ta mbushë stadiumin? Të gjithë mburren. Stadiumi mbushet te Vllaznia dhe te derbi i Tiranës e Partizanit, të cilat nuk janë dakord me këtë gjë. Kur edhe ato nuk janë dakord, publikisht ose jo sepse Federata është hakmarrëse, do të thotë se kjo gjëja nuk është e duhur. Pse nuk u bë që ndeshjet të luhen me short në Kukës, Shkodër apo Elbasan, por vetëm në Tiranë”, shtron pyetjen gazetari sportiv.


E DREJTA TV

Shakohoxha bëri një koment edhe për të drejtën TV. “Kur ‘Supersport’ mori të drejtën televizive pati një ngritje për Superligën shqiptare. Nuk ndikoi që njerëzit të mos vijnë, por erdhën tifozë. Kishte më shumë festë dhe gëzim. E drejta telvizive te një kompani që shkon te njerëzit, vlen më shumë. Ndoshta ka edhe një investitor që thotë dua ta çoj te TV Puka dhe paguan më shumë. Nuk është kështu. Federata kërkon të bëjë tender, por nuk po gjen dikë që të blejë. Do ta prodhojë vetë dhe do ta transmetojë vetë. Edhe komentin duket se do ta bëjnë vetë. Superliga shqiptare është në moment krize. Topi është i federatës, por penalltinë e gjuajnë klubet…”.


KUPAT E EUROPËS

“Ajo që mund të them është se klubet shqiptare kanë shkuar drejt traditës. Super prezantim nga Egnatia me një trajner si Tetova, por mungesa e eksperiencës. Thuajse të gjitha klubet kanë pasur probleme në fillim. Nuk u eliminuan me turp, por rastësisht dhe jo nga aftësia e futbollit. Vllaznia ishte zhgënjyese dhe ka bërë tërheqje dhe nuk po bën investim. Vllaznia duhej të ishte kualifikuar, por disa skuadra që luajnë tani, janë aktive në kampionat si Dinamo Batumi. Tirana kishte fatin e mirë dhe të keq të shortit. Turqia ka të drejtë televizive të madhe dhe Beshiktashi është klub më i famshëm se Galatasarai. Ishte fat i Tiranës. Më mirë do të ishte të kishte një kundërshtar më të dobët, pasi ka super trajner dhe skuadër, por nuk ndodhi”.

RENDITJA E UEFA-s

“Reflekton kampionati dhe nuk janë rastësisht në ato vende klubet shqiptare. Ato nuk kanë pavarësi ekonomike e vendimmarrëse. Nuk prodhojnë dot para mbijetese. Ka qenë periudha më e artë e investimeve nga qeveria, por ka fenomen. Si bëhet i pavarur një klub? Duke bërë si federata për veten e vet dhe askush nuk mendon se në tavolinë që ulet një klub, është edhe klubi kur ndertohet stadiumi. Ajo që dua të them është se Federata u bë pronare e tokës dhe më pas u negociua për t’u bërë stadiumi. Kur u bë stadiumi i Elbasanit, skuadra falimentoi. Elbasani nuk ka asnjë zyrë në stadium dhe është pronë e federatës me ekonominë e federatës dhe qeverisë. Kështu është edhe sot. Vetëm FSHF është në tavolinë dhe klubet nuk përfitojnë asgjë. Duhet që dikush të ngrejë zërin për të mirën e klubit.

Duhet të jenë klubet pronare të terreneve sportive, duke ftilluar nga Burreli e Maliqi. Janë të bashkisë, por duhet të kenë terrene. Duhet të jenë partnerët. Po ndërtohet stadium në Korçë, por nuk është i Skënderbeut. I thuhet vetëm luaj aty. Nëse sot Skënderbeu paguan 10 lekë, nesër paguan më shumë. Në ‘Qemal Stafa’ luhej me 3 milionë lekë të vjetër, ndërsa sot luhet me 20 mijë euro. Kukësi nuk ka shans të administrojë stadiumin. Pse? Sepse FSHF nuk e ka ulur kurrë klubin dhe është vetëm vetë. Nuk i hapet vizion klubeve. FSHF është bashkim klubesh, jo pronar klubesh. Sot sillet si pronare, kur bëhet fjalë për para, ndërsa për hall thotë bëni çfarë të doni. Thuhet se do të bëhen 100 fusha dhe sot nuk ka asnjë vend ku një fëmijë mund të shkojë të luajë pa para. Çdo prind duhet të paguajë, përndryshe fëmija i tij nuk luan dot. Paguhen me mijëra euro qira fushash”, deklaroi më tej Shakohoxha.


PROJEKTI I DINAMOS

“Dinamo ka projekt afatgjatë që do të japë gjallëri. Nuk është rastësi që Di Biaxho, pasi ka qenë trajner i Italisë dhe personazh aty. Ishte pretendent për të qenë trajner i Shqipërisë. Do të sjellë gjëra të reja në Shqipëri. Ka mbështetje të madhe jashtë. Jo më kot lidhet me investimin në Durrës. Nuk është për të fituar kampionatin. Mund të jesh më i miri, por e fiton tjetri në Shqipëri. Dua të krijohet një akademi e madhe kur fëmijët të kenë vetëm një derë për në Europë dhe mendoj se Dinamo do ta bëjë”, theksoi gazetari sporti.


KOMBËTARJA

Në fund Shakohoxha komentoi edhe shanset e Kombëtares për t’u kualifikuar në Europian. ”Shpresoj shumë. Me Poloninë kemi ndeshje të rëndësishme, edhe pse duket Çekia. E kemi të vështirë të luajmë ndeshje të forta. Kishim dy ndeshje të lehta, por nuk na duhej kështu. Por shpresoj shumë që të jemi në momentin e duhur, kur s’kemi dëmtime. Kemi numër të kufizuar dhe ndihet mungesa e tyre. Kam një shpresë që nëse mundim Poloninë, do ia dalim”, përfundoi Shakohoxha.