Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, është shfaqur sot në konferencë për mediat, duke folur për ndeshjen e turit të dytë të Ligës së Konferencës ndaj Beshiktashit. Ai ka kërkuar një ndeshje dinjitoze nga skuadra e tij.
“Ne do të kërkojmë të jemi vazhda e asaj që kemi bërë në këto tre takime, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që përballë kemi kundërshtarë të fortë. Kërkojmë ta nisim nesër ku e lamë ndeshjen atje, por sigurisht duke përmirësuar episodet se ato janë që bëjnë diferencën. Sa i përket çbilancimit, i kërkoj skuadrës që të ketë ekuilibër, se në futboll si në jetën e përditshme, ekuilibri është i rëndësishëm dhe në këtë vazhdë është i rëndësishëm.
Unë e kam shprehur edhe në ambiente miqsh apo futbolli, pavarësisht se përballjet apo për ekipet që përballen në këto turne ka koeficiente, mendoj se ekipe të tilla me buxhet të tillë është e mira që të mos përballesh në tur paraeliminator. Përballja me skuadra të tilla me histori, me buxhet shumë të madh, do të ishte më e mirë që të ishte më e vonshme. Edhe për disnivelet që kanë skuadrat. Me eksperiencën që kam unë, është hera e parë që në turin e dytë të Ligës së Konferencës përballemi me skuadra të një koeficienti të tillë.
Përpos vështirësive dhe potencialit të kundërshtarit, do të futemi në fushë për të bërë më të mirën tonë. Kjo është përballje me dy takime, çdo skuadër bën maksimumin në të dytën që të kthejë rezultatin në favor. Por gjithsesi shanset duhet të kalojnë nëpërmjet lojës, ka situata në ndeshje që të afron apo largon nga objektivi.
Sigurisht në ndeshje futbolli ka momente të mira dhe të këqija. Kur e humb, ka gjëra që nuk kanë shkuar mirë. Gjatë këtyre ditëve kemi parë komplet ndeshjen dhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, mundohesh të gjesh gabimet, mundohesh jo të gjesh fajtorë, por duke u përmirësuar. Duke marrë më të mirën, që ti bësh prezente prapë, ndërsa të përmirësojmë gjërat e vogla. Mos pritni të them këtu çfarë nuk shkoi mirë se çdo analizë bëhet brenda mureve të dhomave të zhveshjes dhe ato do të mundohemi të përmirësojmë nesër.
Kam kontingjent të bollshëm dhe duke pasur këtë, mund të ketë ndryshime. Këto ndryshime mund të jenë në njerëz apo modul. Nesër mund të ketë emra të rinj sa i përket formacionit, por jo kontingjentit. Ndoshta mund të duket e çuditshme, por lojtarët që kanë ardhur nga stoli në këto tre ndeshje, kanë ndryshuar ndeshjen. Që do të thotë se pavarësisht ndërrimeve të emrave nesër, të gjithë të jenë në fokus dhe me përqendrim që të gjithë ata që futen nga stoli e shohin më të qetë, kanë marrë direktivat më të qarta. Që të jenë akoma më në rrugën e duhur dhe që ata që janë futur nga stoli të jenë edhe me vendimtarë.
Europa të vë përballë kundërshtarësh të ndryshëm. Unë do të isha krenar siç kamë qenë në këto ndeshje që lojtarët të përgjigjen me dinjitet e personalitet, diferencat bëhen më të vogla. Kurrsesi nuk mund të jem krenar që jemi përball me Beshiktashin, kemi shëtitur fanellën. Kjo është komplet e kundërta e asaj që duam të bëjmë, par që të luajmë me personalitet e dinjitet, që të tregojmë vlerat individuale e të klubit, në mënyrë që diferencat të jenë sa më të vogla në fushë.
Edhe pse përqendrimi është tek e nesërmja, pasi hidhet shorti i kampionatit je kureshtar me kë përplasesh. Më vjen mirë që e fillojmë me derbi, me Dinamon.
Kaina është një lojtar që kemi ngulmuar ta marrim në gjirin tonë. Në ndeshjet e para, një herë kishte probleme shëndetësore e një fatkeqësi familjare. Në Stamboll u fut mirë në lojë dhe u bë protagonist. Me performancën e rëndësinë që ka, nesër do ta fillojë nga fillimi.
Në këtë profesion pengjet janë edhe në stërvitje. Edhe aty ke peng kur nuk të shkon gjë mirë dhe pret të nesërmen ta përmirësosh. Kjo është ndeshje me dy takime, rezultati kërkon të jetë sa më i ngushtë, në futboll janë të pranishme të gjitha episodet. Do të futemi në fushë në mënyrë të tillë që pengjet të jenë sa më të vogla. Në një ndeshje futbolli, nuk ka trajner që të mos ketë pengje pas saj”, tha Shehi në konferencë për shtyp.