Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për Oversport pas fitores me përmbysje në shifrat 2-1 përballë Egnatias.
“Kur luan i fundit, të shtohet dëshira për rezultat, por shtohet edhe presioni. E dinim që kishim përballë një kundërshtar cilësor, ishte një ndeshje përballë rivalësh. Komplimente skuadrës, që reagoi pas disavantazhit dhe në fund arriti që të ruante rezultatin.

Abazaj? Jam shumë i kënaqur për Kristalin, sepse po na ndihmon me atë gjendje që ka. Stërvitet me sakrificë dhe sot tregoi që është një lojtar që bën diferencën, jo më kot është në gjirin tonë. Jam shumë i lumtur që pas kaq shumë peripecive, kthehet të bëjë liderin për skuadrën tonë, duke shënuar 2 gola. Ishte një ndeshje mes dy rivalëve me cilësi. Goli i tyre ishte një ekzekutim perfekt, pra kundërshtari ka cilësi.

U vumë pak në vështirësi, sepse ata ishin rreshtuar mirë në fushë. Më pas e rritëm lojën. Goli të bën të interpretosh më mirë, ndërsa në pjesën e dytë bëmë presion gjatë gjithë kohës, që kundërshtari të mos nisej me top. Në fund rrezikuam pak, u munduam të fusim në lojë lojtarë të lartë, sepse edhe Egnatia po kërkonte golin në këtë mënyrë. Është një fitore që na kënaq.

Këtë sezon kemi pasur shumë lëvizje në skuadër, prandaj nuk kemi pasur vazhdimësi në rezultate. Kemi marrë 3 fitore radhazi dhe e dimë që duhet të japim maksimumin deri në fund, sepse nuk ka më kohë dhe vend për gabime. Skuadra ka uri dhe dëshirë për fitore dhe jam shumë i kënaqur me këta djem që po bëjnë shumë mirë. 100 ndeshje me Tiranën?

Po është e vërtetë. Mendoj që është një arritje, jam i kënaqur dhe i lumtur, që kemi këtë rrugëtim. Ka edhe shumë ndeshje të vështira përpara, duke nisur nga e radhës. Dhurata më e bukur ishte fitorja. gjithë kjo sakrificë na përkthehet në gëzim. ”, ka thënë Shehi.