Një tjetër ditë gjatë së cilës skuadrat kryeqytetase bëjnë rokadën dhe stërviten njëra pas tjetrës në stadiumin e Pogradecit, “Gjorgji Kyçyku”.

Dinamo ia lë vendin dhe Tirana vijon përgatitjet me ritme maksimale. Ushtrime, gola me kokë, por edhe shënjestër të saktë në kuadrate të vogla. Trajneri Orges Shehi ka kërkuar përpikmëri nga të tijtë në vijim të fazës përgatitore, ndërsa krahas sulmuesve, saktësi në shënim ka treguar edhe mbrojtësi Kristijan Toshevski.

ROKADË ME DINAMON

Nuk humbi kohë Tirana për të filluar sa më shpejt stërvitjen. Rreth orës 18:00, sapo mbaroi seancën skuadra tjetër kryeqytetase, Dinamo, trajneri Shehi u fut në fushë dhe si fillim vazhdoi me fjalimin e zakonshëm rreth ushtrimeve që do të kryheshin dhe menjëherë ekipi bëri vrapimet rreth fushës sa për nxehmje.

HENDBOLL DHE GODITJE ME KOKË

Shumë interesant ishte ushtrimi i parë që u zhvillua, ku në dy porta të mëdha të vendosura rreth 30 metra larg njëra-tjetrës, lojtarët teksa luanin hendboll, do të duhet të shënonin vetëm me kokë.

Zbavitje të madhe dhe shumë risi prodhoi seanca, ku të qeshurat dhe sfidat mes lojtarëve e bënë këtë pasdite edhe argëtuese për kryeqytetasit.

Pas lojës me dorë, grupet e ndara bënë një ndeshje pakminutëshe me topa plastikë të mëdhenj. Kësaj radhe luhej me këmbë edhe goli duhet të shënohej si në futboll, teksa edhe portat ishin pa portierë. Këta të fundit ishin duke zhvilluar një stërvitje ritmike dhe me hedhje të topit sa më larg në bashkëveprim dysh.

SAKTËSI “SNAJPERI”

Portat e vogla kanë një rëndësi të madhe në stërvitjen e Shehit. Ai vendosi që lojtarët të kryenin pasime dyshe, kalimin nëpër piketa në formë lojtarësh dhe më pas të tentonin futjen e topit në portat e vogla. Ushtrim që kërkon saktësi maksimale. Tepër impenjim dhe ritëm pati në këtë ushtrim ku më të saktët për futjen e topit në katërkëndëshin e vogël ishin Xhixha, Zhivanaj, Toshevski dhe Beshiraj.

SHEHI SI BIELSA

Bielsa zgjidhte majën më të lartë për të ndjekur stërvitjen, teksa shpesh ngjitej edhe në pemë anës fushës për të vëzhguar nga lart taktikën e lojtarëve të tij.

Shehi vendosi pozicionet taktike të ekipit, dha udhëzimet dhe u vendos në tribunën e stadiumit për t’i parë më mirë dhe më qartë lëvizjet e lojtarëve. Mbizotëronte një qetësi dhe vëmendje e madhe ku në çdo moment dëgjohej zëri i Shehit nga tribuna. Ai shumë qetësisht, por me pasion të madh, u fliste lojtarëve një nga një.