Me fitore të thellë e ka nisur fazën e tretë të kampionatit Vllaznia U19. Në javën e parë ajo ka pritur në “Reshit Rusi” ekipin e Laçit të cilin e ka mundur me rezultatin e thellë 5-0.

Gjithçka ka qenë e lehtë për kuqeblutë në këtë takim i cili ka nisur me gol. Që në minutën e 2-të ka qenë Qardaku që ka zhbllokuar shifrat ndërkohë që katër minuta më vonë Asllani do të dyfishonte shifrat.

Gjatë pjesës së parë do të kishte edhe dy gola të tjerë, madje shumë të bukur, të ardhur nga goditjet e dënimit. Fillimisht Qardaku dhe më pas Hoxha kanë shënuar gola mjaft të bukur nga ekzekutimi i tyre.

Pjesa e parë në këtë mënyrë është mbyllur me rezultatin 4-0. Në të dytën, pavarësisht rasteve të krijuara do të kishte vetëm një gol. Mali bën gjithçka mirë në zonë dhe në fund pason tek Qardaku që nuk e ka të vështirë të shënojë.

Ky ka qenë goli i tretë për këtë lojtar dhe që ka kompletuar kësisoj fitoren e thellë 5-0 të Vllaznia U19. Kjo e fundit me këtë trepikësh është ngjitur në kuotën e 46 pikëve.

Ajo ka përfituar nga barazimi i Shkëndisë kryesuese të kampionatit që e ka mbyllur në barazim 2-2 ndeshjen me Shënkollin e vendit të fundit dhe në këtë mënyrë tashmë Shkëndia e Vllaznia kanë secila nga 46 pikë duke ndarë dy vendet e para të renditjes.
© shkodrasport.com