Siç është bërë tashmë e ditur, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur një rregull të ri për sezonin 2026-2027. Në fushë çdo ekip do të ketë të paktën për 45 minuta si titullar një futbollist të datëlindjes 2007 ose edhe më të vogël.
Pikërisht për këtë arsye, te Vllaznia kanë filluar të mendojnë për vënien në zbatim të këtij rregulli. Si rrjedhojë që në miqësoren e djeshme me Otrant Olympic, në fushë ka zbritur nga minuta e parë si titullar 17 vjeçari Sokol Uldedaj. Gazeta mëson se kështu do të veprohet në të gjitha miqësoret e prag- sezonit.
Dje e ka nisur nga fillimi Sokoli, por në ndeshjet e tjera këtë shans mund ta ketë edhe Simon Uldedaj apo dhe Amer Kthupi, Erman Pishtari e Alevio Ndoj, katër të rinjtë e tjerë që po stërviten me ekipin e parë të Vllaznisë dhe që mund të përfitojnë nga rregulli i ri që është vënë në zbatim.
Kuptohet që kjo është një mundësi e artë për ta, të cilën nuk e kanë patur breza të tërë sportistësh të rinj dhe ata padyshim që duhet ta shfrytëzojnë këtë gjë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


