Sunday, July 26, 2026
FAQJA E PARE KRYESORESulmuesi shkodran e nis në mënyrë perfekte, gol në debutim në Rusi

Sulmuesi shkodran e nis në mënyrë perfekte, gol në debutim në Rusi

Shkruar nga Endri ÇINARI

Erald Maksuti e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij në futbollin rus. Sulmuesi shkodran, i cili gjatë merkatos së verës u transferua nga Flamurtari te Akhmat Grozny, ka lënë menjëherë gjurmën e tij në elitën e futbollit rus, duke treguar se është gati për këtë hap të rëndësishëm në karrierë.

22-vjeçari ishte protagonist në javën e parë të kampionatit, teksa Akhmat Grozny barazoi 1-1 në transfertën e vështirë ndaj Lokomotivës së Moskës. Edhe pse trajneri vendosi ta niste nga stoli, Maksuti arriti të ndryshojë fatin e takimit në pak minuta, duke u shndërruar në njeriun e ndeshjes për skuadrën e tij.

Sulmuesi shkodran u aktivizua në minutën e 78-të, në një moment kur vendasit kryesonin 1-0 dhe dukej se po shkonin të sigurt drejt fitores. Megjithatë, vetëm pesë minuta në fushë i mjaftuan shtatlartit për të treguar instinktin e tij të golit. Në minutën e 83-të ai gjeti rrugën e rrjetës, duke realizuar golin e barazimit dhe duke i dhuruar Akhmatit një pikë të rëndësishme në startin e sezonit.

Një debutim më të mirë vështirë se mund ta imagjinonte Maksuti. Goli në ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e ekipit rus përbën një sinjal të qartë për stafin teknik, ndërsa njëkohësisht rrit besimin se sulmuesi shqiptar mund të ketë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm gjatë këtij sezoni në Premier Ligën ruse.

Për futbollistin shkodran, ky është një fillim që premton shumë. Pas paraqitjeve pozitive me Flamurtarin, Maksuti po tregon se mund të përballojë edhe sfidën e një kampionati më të fortë, ndërsa goli në debutim është pa dyshim mënyra më e mirë për të fituar besimin e klubit të ri dhe për të hapur një kapitull premtues në karrierën e tij.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments