Vllaznia U17 ka marrë një tjetër fitore sot në ndeshjen e rradhës për kampionat. Ajo ka fituar me rezultatin e ngushtë 2-1 ekipin Brians, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Goli i sulmuesit Ardit Nikaj në fundin e pjesës së parë ka rezultuar deçisiv deri në fund të takimit, pavarësisht përpjekjeve të kundërshtarit për të barazuar deri në fund.

Ndeshja ka nisur me gol për skuadrën shkodrane. Në minutën e 14-të ka qenë mesfushori Arsen Elbasani ai që ka kaluar në avantazh ekipin e tij. Ndërkohë 15 minuta më vonë do të vinte edhe goli i barazimit për lezhjanët.

Një nga lojtarët e Brians është penguar në mënyrë të parregullt brenda zonës nga njëri prej lojtarëve të Vllaznisë dhe arbitri ka treguar pikën e bardhë. Atë e ka marrë përsipër ta ekzekutojë Martinaj i cili është treguar i saktë duke e dërguar topin në rrjetë.

Ndërkohë një minutë para fundit të pjesës së parë, sulmuesi Nikaj ka ndjekur një aksion të ekipit të tij dhe në fund e ka dërguar topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve nuk ka patur gola të tjerë dhe përfundimisht Vllaznia U17 ka fituar 2-1 duke u ngjitur kësisoj në kuotën e 31 pikëve dhe mban sërish vendin e tretë në renditje.
© shkodrasport.com