Orges Shehi duket se po bëhet gati t’i japë lamtumirën futbollit shqiptar. Vetë trajneri i Tiranës, ka pranuar pas finales së Kupës të humbur me Egnatian se situata e krijuar së fundmi me ekipin e tij, e kishte dërrmuar dhe nuk kishte forcat të niste gjithçka nga e para.

“Ka qenë një finale e vuajtur, për ironi të fatit u përsërit historia. Kam humbur kampionatin me Kukësin dhe kam humbur edhe Kupën, edhe me Tiranën pastaj. Në këtë situatë në ndeshjen me Ballshin, ajo situata e ndeshjes së Ballshit na soli këtu me ekip të përgjysmuar. Çunat janë heronj. luajtën 100 minuta me 10 pa mundësi për zëvendësime, duke ditur që luajtën çdo tre ditë ndeshje.

Skuadra ime meriton komplimentet më të mëdha në një sezon mes vështirësive. Mund të fitonim të tre trofetë. Ishim shumë afër, nuk arritëm të fitojmë as kampionatin e as Kupën pikërisht për atë që ndodhi në ndeshjen me Bylisin.

Të jemi të qartë që ta dini, nuk është çështje leku. Nga kjo situatë jam shumë i vrare për të gjetur forcat për t’ia nisur nga e para. Më shkatërron shumë kjo, më ka shkatërruar mua dhe çunat. Duhet forcë e madhe të nisësh nga e para kur mund të ishim kampionë e situatë tjetër tani, Nuk di të them se çfarë do të ndodhë me të ardhmen.

I falënderoj çunat për atë sakrificë të madhe, 100 minuta me 10 vetë. Për shkak dëmtimesh e pezullimesh kishim kontingjent të cunguar. Sot treguam pas gjithë atyre situatave që sakrifikojnë dhe janë prezent për të dhënë më të mirën e tyre. Nuk di të them cikël apo jo, se ne jemi krenarë me atë që kemi bërë. Por mendoj që cikli vazhdon me të gjithë, jo vetëm trajneri dhe stafi.

E thashë që siç jam unë i dërrmuar janë edhe lojtarët. Kur mendon që sezoni fillon shumë shpejt, pas një jave, duhet forcë e madhe për të gjetur iniciativën pas një sezoni se dhimbja është shumë e madhe se ishim pranë të dyjave e nuk fituam asnjë. E përmenda se çfarë situate na çoi në këtë pikë.

E ardhmja? Nuk mund ta them tani, koka është e nxehtë, mërzia është e madhe. Desha të falënderoj tifozët, edhe pse Egnatia me 1 mijë e ne me 20-30. I falënderoj ata që kanë parë nga shtëpia. Nuk mund të them asgjë për të ardhmen se nuk mund të them asgjë me kokën e nxehtë. Është dhimbje e madhe, duhet forcë e madhe për të filluar duke ditur kontingjentin dhe dënimet”, tha Shehi për “Oversport” pas sfidës.