Tirana arriti një fitore të rëndësishme përballë Kukësit në garën për titull duke marrë dhe kreun e kampionatit. Pas sfidës, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, u shpreh i lumtur për tre pikët e marra edhe pse skuadrën nuk e ka në 100% e vetë.

“Jam i kënaqur nga pikët që morëm sot. E kam thënë që duhet të jemi cinikë. Rrezikuam disi në fund duke futur Behiratçen që të mbronte topat e ardhur nga lartë.

Dy ndeshje njësoj nuk besoj se ka. Kjo ndeshje nuk hyn te më të mirat por ka një të përbashkët që morëm rezultatin. Kristali për mendimin tim po na ndihmon. Gjendja e tij nuk është në 70% të kapacitetit të vet. Akoma nuk jemi me skuadrën dhe lojtarët 100%. Të kesh Deliun jashtë, Abazajn jo në formën më të mirë, Patriku dihet që nuk është, dihet që të kushtëzojnë te zëvendësimet.

Është e vërtetë që janë finale. Unë do të thoja që edhe pse disa momente kemi qenë me fat sepse kemi portier të mrekullueshëm. Te penalltia nuk mendoj se është çështje fati. E rëndësishme është që të marrim pikët. Edhe pse nuk dua të pësojmë gol në goditjet standarde”, u shpreh Shehi për “Oversport”.