Pas miqësores me Maliqin, Tirana dje ka punuar me vetëm një seancë, e cila filloi në orën 18:00. Trajneri Shehi me stafin janë gjithmonë të parët që futen në stadium. Në seancën e së hënës, me ekipin ishte bashkuar edhe Gentjan Muça, një nga afrimet e rëndësishme së fundmi.

Nën udhëheqjen e përgatitësit atletik, Kosta Jani, grupi i lojtarëve filloi me streçing dhe ushtrime të ndryshme muskulore. Më pas iu kushtua rëndësi e madhe kalimeve të shpejta me top nëpër piketa dhe pasimeve direkte sërish nën urdhrat e Janit.

Ai kërkonte më shumë shpejtësi dhe më shumë përdorim të të dyja këmbëve. Pas 30 minutave, seanca u ndal për pak sekonda në mënyrë që lojtarët të freskoheshin dhe disa të tjerë për të pirë ujin e përgatitur me vitaminat që u nevojiten.

SHEHI NË “SKENË” – Menjëherë pas nxehmjes, Shehi i ndau lojtarët në tri grupe dhe i udhëzoi të formojnë disa rrathë, ku dy lojtarë në mes tentojnë që të fitojnë topin. Ata në rreth e prekin vetëm dy herë sferën. Shehi u inkuadrua edhe vetë në këtë lloj stërvitjeje.

Situata gjatë këtyre momenteve ishte tepër harmonike dhe kishte një “mal” me të qeshura mes lojtarëve. Ndërkohë, trajneri i portierëve, Osmani, po punonte me të tre gardianët e ekipit veçmas, ndërsa Beshiraj dhe Gjumsi ishin udhëzuar të bënin vrap rreth fushës, të vetmit që luajtën 90 minuta në miqësore. Pas ushtrimeve të fundit, përgatitësi Jani udhëzoi sërish skuadrën të bënte vrapime disa herë nga porta në portë, kurse Majkëll Ngo po kryente vrap njësoj si grupi, por i veçuar dhe duke nisur më shpejt se të tjerët.

TAKTIKA – Para se të mbaronte seanca, Shehi kërkoi më tepër nga lojtarët, të cilët të ndarë në dy grupe, bënin tranzicionet pozitive dhe negative: Njëra palë sulmonte në njërën portë të fushës dhe kur këta e humbnin topin, grupi tjetër niste aksionin për te porta tjetër e fushës. Gjatë kësaj seance skuadra ka bërë tri ndalesa për t’u freskuar me ujë për shkak të motit të nxehtë, por edhe seancës mjaft intensive.

KTHEHET NAJDOVSKI – Një lajm i mirë për skuadrën e Tiranës duket se është edhe përmirësimi i Najdovskit, pasi ai mori pjesë në ndeshjen e kontrollit me vetëm tri takime që u zhvillua në gjysmëfushë. Pasi i dha fund gjithçkaje, stafi teknik dhe manaxherial zhvilluan një minindeshje me porta të vogla, ku Shehi shfaqi aftësitë e tij jo vetëm si portier, por edhe si lojtar ku u pa të shënonte edhe gol.

HALILI JASHTË – Tirana ka bërë një miqësore pozitive këtë të diel. Bardheblutë kanë vijuar me përgatitjet, mirëpo krahas lajmeve pozitive dhe sinjaleve që dhanë disa nga të rinjtë që janë pjesë e organikës së Shehit, shqetëson gjendja e Grent Halilit, i cili e la miqësoren pas një goli për shkak të një tërheqjeje muskulore.

Mësohet se sulmuesi i bardhebluve do të duhet të shohë situatën e këmbës ditë pas dite, por gjasat janë që për të të kërkohet ulje e ritmit dhe disa ditë pushim për të rikuperuar plotësisht muskujt.