Skënderbeu është shpallur kampion i Kategorisë së Parë në ndeshjen e javës së fundit të këtij kampionati. Korçarët barazuan pa gola 0-0 në “Roza Haxhiu” përballë Lushnjës dhe ruajtën kreun e renditjes, duke mbyllur kampionatin me dy pikë më shumë se rivalët e Dinamos.

Kështu, Skënderbeu u shpall fituese e Kategorisë së Parë për këtë edicion futbollistik. Megjithatë, e veçanta e këtij suksesi është fakti që pjesë kryesore e ekipit kampion të Kategorisë së Parë ka qenë edhe tre shkodranë.

Fjala është për mbrojtësin Ditmir Beci dhe dy sulmuesit Ardit Nikaj e Uendi Vecaj. Gjatë këtij sezoni, ata kanë spikatur në formacionin e trajnerit Ivan Gvozdenoviç, teksa kanë qenë pjesë kryesore e ekipit kampion të Kategorisë së Parë.

Realisht, të tre janë prodhim i Akademisë Vllaznia, por vetëm Vecaj ka provuar të luajë për ekipin e parë të kuqebluve. Në përfundim të ndeshjes, u zhvillua edhe ceremonia tradicionale me pjesëtarët e FSHF, të cilët i dorëzuan medaljet edhe tre futbollistëve shkodranë, pikërisht Ditmir Becit, Ardit Nikajt dhe Uendi Vecaj.
Maringlen ZHIVANI