Kategoria e Parë ka luajtur ditën e sotme javën e fundit, që dha edhe verdiktet përfundimtare të sezonit të rregullt në këtë turne. Kështu, Besëlidhja kishte të planifikuar sfidën e fundit për ta luajtur në Peshkopi ndaj Korabit në orën 16:00.

Megjithatë, skuadra lezhjane që ka rënë matematikisht në Kategorinë inferiore, nuk është paraqitur fare në fushën e blertë në këtë takim të fundit të Kategorisë së Parë.

Ekipi i Besëlidhjes e kishte prerë prej javësh biletën për në Kategorinë e Dytë dhe në këtë mënyrë, duket se ata kanë menduar se nuk ia vlente që të të bënin një udhëtim të kotë për këtë sfidë.

Kështu, ata kanë vendosur që të braktisin ndeshjen e fundit të kësaj jave dhe sipas rregullores së FSHF, janë vendasit e Korabit ata që fitojnë në tavolinë këtë takim me rezultatin 3-0.

Në fakt, skuadra vendase doli edhe në fushë, e cila ka pritur minutazhin e caktuar sipas rregullores dhe më pas është vendosur mbyllja e ndeshjes nga gjyqtarët shkodranë, Dragusha, Bega, Hyseni dhe Myrtja, duke dekretuar mosparaqitjen e lezhjanëve.
Maringlen ZHIVANI