Veleçiku nuk ia ka dalë dot të triumfojë ndaj Valbonës dhe tashmë do të jetë kjo e fundit skuadra që do të luajë në fazën tjetër të “play-off” me njërin nga ekipet e Kategorisë së Parë, për të përcaktuar se kush do të jetë sezonin tjetër në këtë kategori. Në stadiumin e Vorës u zhvillua një ndeshje, e cila i kishte të gjitha brenda.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Valbonës, me skuadrën tropojane që shfrytëzoi më së miri një rast për shënim me anë të Mziut, që dërgoi rezultatin 0-1 dhe me këto shifra u mbyll edhe 45-minutëshi i parë.

Po ashtu, duhet theksuar fakti se në këtë fraksion loje gjyqtari kryesor Blerim Ziri vendosi të ndëshkojë me kartonin e kuq trajneri Dritan Smajli.

Pjesa e dytë ishte më interesante. Valbona thelloi avantazhin e saj me anë të Gjonaj në minutën e 56’. Megjithatë, në minutën e 81-të do të kishte vend edhe për një gol të Veleçikut, që ngushton rezultatin në 1-2 me anë të mesfushorit të djathtë, Arsen Elbasani.

Deri në fundin e ndeshjes, rrjetet do të qëndrojnë të paprekura, edhe pse skuadrat kishin sërish disa raste për shënim. Gjithçka u mbyll me rezultatin 1-2 për Valbonën e Tropojës që avancon për më tej, ndërsa kjo humbje ka bërë që tashmë Veleçiku të jetë edhe për sezonin tjetër në Kategorinë e Dytë. /Maringlen ZHIVANI/

Veleçiku-Valbona 1-2

Golat: Elbasani 81’ / Mziu 43’, Gjonaj 56’

Veleçiku (4-1-4-1): L. Kaçaj, Elv. Rrustemaj, Am. Kaçaj, Zefi, Banushaj, Kaçeli, Elbasani, Shekaj (Ivziku 63’), Bardulla, Hajdari, Rragami (Mehmetaj 81’) (në dispozicion: Marku, Eli. Rrustemaj, Al. Kaçaj, Gurra, Kacokaj, Hysaj) Tr: Dritan Smajli

Valbona (4-2-3-1): Braho, Mashi, Farruku, Sefgjinaj, Punavija (Prendi 80’), Balla (Ujka 90’+1), Çutra, Rosaj, Gjonaj (Prenga 80’), Mziu (Balliu 71’), Jaupaj (në dispozicion: Qelia) Tr: Saimir Neza

Arbitër: Blerim Ziri

Kartonë të verdhë: Am. Kaçaj 83’, Zefi 85’, Elbasani 90’+1 / Gjonaj 66’, Jaupaj 83’