Redon Mihana ishte pa diskutim protagonisti më në zë i javës së parë në Superiore, me 2 gola të shënuar, kundër ekipit të Laçit, ku i pari la gjurmë dhe cilësisht mund të konsiderohet një nga më të bukurit e më të realizuarit.
Me origjinë nga Laçi, 24-vjeçari, i cili ka debutuar më parë te skuadrat si Kastrioti dhe Egnatia, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” tregon se si u bë pjesë e ekipit të Erzenit, urimet dhe vlerësimet që ka marrë nga drejtuesit, kolegët, gjykim mbi paraqitjen e bërë, e synimet individuale.
“Përpara se të flas për ndeshjen e së dielës, po ju tregoj se si u arrit akordi me skuadrën, sepse në këtë formë gjërat bëhen më të qarta. Ishte profesor Deliallisi, i cili më telefonoi. Me shpjegoi se si në frymën dhe projektin e tij, kishte nevojë për një lojtar me karakteristikat e mia, nga ku do të merrja minuta në dispozicion për t’i shpalosur ato.
Gjatë seancave stërvitore me ka dhënë shumë ushtrime individuale, të cilat mendoj se lidhen drejtpërdrejtë me disa nga aftësitë që ai i ka spikatur tek unë dhe dëshiron që të konkretizohen në fushë. Në ndeshjen kundër Laçit m’u dha kjo mundësi.
Edhe pse e gjeta rrugën e rrjetës dy herë, mendoj se kam akoma dhe më shumë për të bërë, sidomos në planin mental dhe fizik, madje uroj të mos pësoj asnjë dëmtim. Drejtuesit janë të kënaqur, po ashtu dhe shokët e skuadrës që më përgëzuan që të gjithë. Të premten, me 1 shtator, luajmë kundër Vllaznisë dhe nuk e mohoj, që do të dëshiroja të shënoja përsëri”, tha Mihana.