Ka ardhur tek Vllaznia një javë para nisjes së kampionatit dhe…për më tepër pa formën e duhur fizike. Për të mos thënë se ka qenë mbi peshë.

E kemi fjalën për sulmuesin brazilian Wenderson Da Silva Soares i cili duhej të ishte shndërruar në pikën e referimit të kuqebluve në sulm por kjo nuk ka ndodhur ende.

Ai në ndeshjen e djeshme të kupës ndaj Burrelit është shndërruar në protagonist. Ka shënuar golin e parë me një “tunel” shumë të bukur në mes të mbrojtësve matjanë, ka asistuar tek goli i dytë i shënuar nga Emerson, ka dhënë dy asiste të shkëlqyer për Zogajn e Pusin dhe po ashtu ka goditur vetë shtyllën në pjesën e dytë.

Jo keq për një 90 minutësh, por…luhej përballë Burrelit pa pretendime. Stafi teknik dhe e gjithë skuadra presin më shumë nga ai në ndeshjet e kampionatit ku 27 vjeçari ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetë.

E ka bërë vetëm në ndeshjet e kupës sepse ka shënuar edhe në takimin e parë në Burrel dhe po ashtu edhe në miqësoren e luajtur përballë Veleçikut. Megjithatë pa shënuar në kampionat dhe pa i dhënë pikët Vllaznisë, “misioni” i tij tek kjo skuadër nuk mund të quhet i kryer.
© shkodrasport.com