Nga Endri ÇINARI
Vllaznia ka pasur deri më tani në Superiore një sezon plot luhatje. Shkodranët nuk kanë arritur të gjejnë aspak stablitet dhe këtë e tregojnë edhe shifrat e deri më tanishme. Pas 15 javësh, kuqeblutë janë në vendin e 6-të të renditjes vetëm me 17 pikë të grumbulluara. Shumë pak për një skuadër që kërkon zonën europiane.
Megjithatë gjithçka nga pikët e marra tregohet edhe nga golat e shënuar. Në 15 raunde, Vllaznia ka shënuar 14 gola, pra një mesatare ku nuk i takon madje as edhe 1 gol për ndeshje. Shifra “horror” përsa i përket golave të shënuar nga shkodranët deri më tani në Superiore, ku më keq se kuqeblutë ka bërë vetëm një skuadër.
Dhe këtu është fjala për Teutën që është në vendin e fundit dhe ka shënuar 10 gola deri më tani në Superligë. Madje edhe ekipe si Erzeni i vendit të 9-të apo edhe Laçi vendit të 8-të kanë shënuar më shumë se Vllaznia. Respektivisht shijakasit e kanë gjetur rrjetën 17 herë e ndërsa laçianët plot 18 herë.
Peshën e golave tek Vllaznia deri më tani e ka mbajtur Balaj me 8 rrjeta. E pas tij vjen Boshnjaku që ka shënuar dy herë e ndërsa golin e ka gjetur edhe Gruda, Delaj e Stojanovic ndërsa ka edhe një autogol në favor të kuqebluve. Një “varfëri” para portës kjo e Vllaznisë, që reflektohet edhe në renditjen momentale që ka skuadra.