Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të përballjes së katërt sezonale mes Vllaznisë dhe Teutës, statistikat e këtij edicioni 2025/26 kanë prodhuar një element sa interesant, aq edhe të pazakontë: në këtë çift, rezultatet kanë favorizuar vazhdimisht ekipet udhëtuese. Një “ligj i pashkruar” që pritet të vihet sërish në provë këtë fundjavë.
Gjithçka nisi në fazën e parë, me takimin e zhvilluar në Durrës, ku Vllaznia arriti të marrë një barazim 1-1. Kuqeblutë kaluan të parët në avantazh falë një goli të Malës, duke dhënë sinjale pozitive në transfertë. Megjithatë, vendasit reaguan në minutat e fundit, ku Beshiraj gjeti rrugën e rrjetës dhe shmangu humbjen për Teutën.
Në fazën e dytë erdhi edhe rezultati më surprizues i këtij sezoni për shkodranët. Teuta arriti të triumfojë në “Loro Boriçi” me shifrat 0-1, falë një tjetër goli të Beshirajt. Kjo humbje mbetet e vetmja për Vllazninë në shtëpi gjatë këtij sezoni, duke theksuar edhe më shumë karakterin e veçantë të këtij dueli.
Por “rregulli” i këtij sezoni do të konfirmohej sërish në fazën e tretë. Këtë herë ishte radha e Vllaznisë që të merrte hak në transfertë, duke fituar 0-1 në Durrës. Një gol i Malës mjaftoi për t’i dhënë tri pikët skuadrës shkodrane, duke rikthyer balancat dhe duke përforcuar idenë se në këtë çift, faktori fushë ka pasur pak ndikim.
Në këtë mënyrë, tri përballjet e para të sezonit kanë prodhuar një statistikë të rrallë: asnjë fitore për ekipet pritëse, ndërsa dy triumfe kanë ardhur në transfertë dhe një barazim po ashtu jashtë fushe. Një tregues i qartë i rivalitetit të fortë dhe i mënyrës sesi të dyja skuadrat dinë të luajnë më mirë nën presionin e transfertës.
Tashmë, në prag të duelit të katërt, mbetet për t’u parë nëse kjo prirje do të vazhdojë apo nëse më në fund njëra prej skuadrave do të arrijë të shfrytëzojë avantazhin e fushës. Në çdo rast, përballja mes Vllaznisë dhe Teutës premton spektakël dhe një tjetër kapitull interesant në statistikat e këtij sezoni.


