Vllaznia e këtij sezoni është e varur nga një futbollist siç është Herald Marku. Nëse ai shënon, atëherë edhe Vllaznia fiton. Mjafton që të kujtojmë që edhe në barazim, ai është më se i vlefshëm.

Në shumicën e rasteve, nëse mesfushori nuk shënon, atëherë Vllaznia nuk ia del që të marrë pikë. Golat e Markut ndaj Kukësit, Tiranës dhe Bylisit dhanë tre pikë, ndërsa ndaj Laçit vetëm një pikë. Ndërkohë, me Teutën, skuadra e Vllaznisë e mbylli 90-minutëshin pa gola.

Vjet ishin 13-futbollistë që shënuan 45-gola, pikërisht 11 rrjeta Liridon Latifi, 10 Ante Aralica, 8 Victor, 3 Ardit Hoxhaj, 2 Fallou Diagne, 2 Erdenis Gurishta, 2 Fjoart Jonuzi, 2 Zinedin Mustedanagiç. Ndërkohë, nga një gol kanë shënuar Esin Hakaj, Ardit Krymi, Fahrudin Gjurgjeviç, Kaina dhe Mehdi Çoba, si edhe dy autogola.

Përtej kësaj, statistikat për këtë sezon janë shumë ndryshe nga sezoni i mëparshëm. Skuadra e trajnerit Josa është shumë më ndryshe nga ajo e sezoneve të mëparshme. Këtë sezon, Vllaznia ka një problem shumë të madh, pikërisht atë të golashënuesve. Kështu, janë vetëm pesë futbollistë që kanë shënuar nëntë gola, teksa bëhet fjalë për Herald Markun me katër gola, Ardit Hoxhajn me dy gola dhe Elvedin Heriç, Fjoart Jonuzi dhe Kaina me nga një gol.

Këtë sezon, Vllaznia ka shënuar nëntë rrjeta, ndërsa sezonin e mëparshëm, ekipi kishte 17-gola në nëntë javë, teksa janë tetë gola mangët për skuadrën e sivjetshme. Vllaznia e sezonit të shkuar kishte 13-pikë në nëntë javë. Këtë sezon, në nëntë javë, Vllaznia ka 14-pikë. Një më shumë se skuadra e vjetshme.

Edhe pse është minus në shumë drejtime, një komponent tjetër i skuadrës është plus. Sezonin e shkuar, Vllaznia pati pësuar 14-gola, ndërsa këtë sezon mbrojtja është më e mirë, teksa këtë vit shkodranët kanë pësuar 10-gola.

Ndërkohë, vjet Vllaznia kishte tre fitore në nëntë javë, ndërsa këtë sezon ka katër. Katër barazime sezonin e kaluar dhe dy barazime sezonin aktual. Edhe humbjet janë më shumë, tre nga dy të sezonit të shkuar. Golavarazhi është në favor të skuadrës së vjetshme me +3, ndërsa skuadra e këtij viti -1.

Për ta thënë shkurt, Vllaznia në komponentë është shumë më pas se ekipi i sezonit të shkuar. Gjithsesi, nuk ka vend për alarm, pasi është akoma herët dhe ka shumë kampionat për t’u luajtur.
Maringlen ZHIVANI