Kastrioti ia doli të merrte pikë ndaj Teutës në transfertë, falë lojës dinjitoze që bënë të besuarit e trajnerit Ramazan Ndreu. Një nga më të dalluarit në këtë takim ishte mbrojtësi Silvestër Shkalla, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, flet për ndeshjen e fundit, sfidën me Vllazninë dhe synimet e skuadrës.
1 pikë në transfertë ndaj Teutës, por a mund të merrnit më tepër?
Teuta është një ekip shumë i mirë, pretendente për titull këtë sezon. Mendoj që ne zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe pika e marrë ishte e merituar. Madje, po të ishim treguar pak me cinik në disa raste dhe mund të kishim dalë me 3 pikë nga ajo ndeshje.
Kastrioti vijon të luajë me luhatje, jo në të gjitha javët njëlloj…
Kastrioti është i motivuar gjithmonë, me të gjitha skuadrat luajmë njësoj, ndonëse dihet se ekipet e mëdha të motivojnë më shumë. Sa për lojërat, kundërshtarët nuk i ngjajnë njëri-tjetrit, por edhe ndeshjet gjithashtu. Për një gjë të jeni të sigurt, ne futemi për të dhënë maksimumin dhe për të marrë më të mirën ndaj çdo kundërshtari.
Në fundjavë prisni Vllazninë, si e shihni këtë ndeshje?
Presim Vllazninë, një ndeshje si të gjitha të tjerat. Do të futemi në fushë për të bërë lojën tonë dhe për të marrë pikët e plota, sepse realisht po zhvillojmë lojëra të mira, në këto ndeshjet e fundit.
Pas barazimit në Shkodër me Kastriotin, Vllaznia ka pasur rënie, madje ju akuzuan si ekip se ndaj dikujt luani fort e dikujt jo. Keni një koment?
Nuk dua të merrem me komente se çfarë thonë e mendojnë të tjerët. Ne luajmë me të gjitha njësoj. Nuk i veçojmë, por futemi në fushë për të dhënë më të mirën. Ndaj, edhe në këtë takim do të japim më të mirën, për të marrë maksimumin. Shpresojmë që të kemi dhe pak fat.
Jeni 9 pikë para Bylisit, a kjo distancë qetësie për Kastriotin?
Mendoj se distanca nuk është aq e madhe për të qëndruar të qetë, sepse janë ende shumë pikë në lojë. Të qetë do të jemi vetëm atëherë kur ta sigurojmë edhe matematikisht. Për momentin duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë.
A mund të pretendojë Kastrioti diçka më tepër se mbijetesa?
Ne si lojtarë kemi për detyrë të japim maksimumin në fushë, duke i marrë ndeshjet me radhë. Në fund do të shikojmë se ku jemi me pikë. Ka akoma shumë javë për t’u zhvilluar dhe është herët për të folur se çfarë pretendojmë. Kryesorja është mbijetesa në Superiore.