Është lindur në Lezhë, por ka shkëlqyer në Tiranë. Fillesat dhe promovimi i tij u bënë te skuadra e Partizanit në sezonin 2008-2009. Bëhet fjalë për potentin, Renato Malota. Qendërmbrojtësi i njohur ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Superiores duke u renditur në treshen futbollistëve më të mirë në prapavijë.
Nga Partizani te Dinamo e madhe dhe më pas te Kukësi, ekip me të cilin luajti për 4 sezone. Pikërisht te verilindorët, 30 vjeçari do të njihte kulmin e karrierës së tij duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Thonë se dashuria e parë nuk harrohet dhe pas 8 vitesh, Renato u rikthye sërish në kryeqytet duke iu bashkuar Partizanit të Sul Starovës. Me plot gojën të gjithë analistët në studio u shprehën se të kuqtë kishin bërë goditjen e vitit. Në fakt e tillë rezultoi, teksa ai u aktivizua në 20 ndeshje duke shënuar dhe një gol në derbi.
Por, gjithçka ndryshoi me ardhjen e drejtorit Olsi Rama në klub. Operacioni “Fshesa” përfshiu dhe lezhianin i cili mbylli aventurën me kryeqytetasit duke u transferuar te Vllaznia. Në Shkodër ishte sezoni më i vështirë për të. Problemet jashtë fushe me ligjin, detyruan Malotën të largohej disa kohë nga futbolli i luajtur. Së bashku me të, u largua edhe Vllaznia nga Superiorja.
Pozicional, i qetë dhe shpesh herë efikas në majën e sulmit, qendërmbrojtësi Renato Malota i kishte të gjitha. Ende është në kohën e duhur për t’u rikthyer. Por, a do të arrijë t’ia dalë? Le të shohim.
Drejtuesit shkodranë e kanë në planet e tyre për sezonin e ri. Nga shkëlqimi i madh e deri te zbehja e tij, sa shumë peripeci për Renaton e Partizanit, Dinamos, Kukësit dhe Vllaznisë. /Newsport/