Kampionatet e futbollit thuajse në mbarë Botë janë pushim në këtë periudhë, kjo për shkak të zhvillimit të Botërorit në Katar gjatë këtij muaji. Por ka nga ato kampionate që e vijojnë aktivitetin e tyre edhe në këtë periudhë.

Një prej ligave që nuk ka pushim është edhe ajo indiane, ku për shqiptarët është shumë e panjohur, por aty po zhvillojnë aktivitetin e tyre së fundmi tre ish-pjesëtar të Vllaznisë.

Fjala është për trajneri Brdaric, drejtorin Teknik, Matko Djarmati dhe mbrojtësin, Fallou Diagne. Të tre të sipërpërmendurit para një sezoni ishin pjesë e kuqeblu e ndërsa tani aventura e tyre futbollistike i ka dërguar ata në Indi. Ekipi ku ish-treshja e Vllaznisë është pjesë aktualisht është Chennaiyin, nuk po kalon formën më të mirë së fundmi.

Skuadra indiane është mposhtur me rezultatin 3-2 në takimin e javës së shtatë të ligës nga ekipi i Odisha. Aktualisht ekipi i drejtuar nga Brdaric ndodhet në vendin e 7-të të renditjes, shumë larg vendit të parë që mbahet nga Mumbai në kuotën e 18 pikëve, ndërsa skuadra e Chennaiyin ka vetëm 10 pikë pas 7 javëve të para, por me një ndeshje më shumë për të luajtur në kalendarin e tyre.

Duket se Brdaric, Djarmati apo edhe Diagne që është kapiteni i skuadrës indiane po e kanë të vështirë përshtatjen me futbollin Indian. Megjithatë sezoni është ende në fillimet e tij dhe ndeshja e rradhës për Brdaric dhe skuadrën e tij do jetë në datën 3 dhjetor kundër Hyderabad, skuadër ku me patjetër do kërkohet fitorja për tu kthyer në vendet e para të renditjes.
Endri ÇINARI