Java e tetë e kampionateve të moshave nuk ka qenë aspak e mbarë për dy ekipet e Akademisë Vllaznia, U-14 dhe U-15. Të dyja ato kanë pritur në “Reshit Rusi” për t’u ndeshur me ekipet rrespektive të Tiranës.

Kështu, e para që ka zbritur në fushë, ka qenë Vllaznia U-14, e cila është mundur me rezultatin 0-3, ndërsa më pas Vllaznia U-15 është mundur me rezultatin 0-2, teksa paraqitjet e ekipeve të Akademisë nuk kanë qenë aspak të mira në këto ndeshje.

Tek ndeshja e skuadrës së 14-vjeçarëve, të drejtuar nga trajneri Arben Parmeza, Tirana nuk e ka patur të vështirë t’i mundë duke shënuar tre gola, që të gjithë në pjesën e parë. Me humbjen e fundit, Vllaznia U-14 ndodhet në vendin e tetë në renditje me shtatë pikë. Në vazhdim, nëse do të vijojnë këto rezultate, sigurisht që për ekipin shkodran nuk do të jetë e lehtë të konkurrojë me ekipet e tjera.

Ndërkohë, Vllaznia U-15 ka zhvilluar një ndeshje shumë të dobët dhe Tirana ka shënuar dy gola që në pjesën e parë. Ndërkohë, në pjesën e dytë, miqtë kanë mbrojtur rezultatin e tyre, duke siguruar një fitore të pastër, 0-2.

Me humbjen e sotshme, ekipi i drejtuar nga trajneri Fatjon Hasani ndodhet në vendin e gjashtë në tabelën e renditjes me 11-pikë dhe gara pritet të jetë e fortë në javët e ardhshme deri në fund të kampionatit. /Maringlen ZHIVANI/


U-14: Vllaznia-Tirana 0-3

Formacioni i Vllaznia U-14: Ndoj, Ramaj, Krymbi, Kraja, Bega, Selimi, Jukaj, Lisaj, Dautovi, E. Lulaj, Ramçaj (u aktivizuan: Thana, Hoxha, Preka, Dukaj) Tr: Arben Parmeza


U-15: Vllaznia-Tirana 0-2

Formacioni i Vllaznia U-15: Mehmeti, Jubani, Hebovija, Valikaj, Prendi, I. Fusha, F. Fusha, Hoxha, Shurbani, Kthupi, Zhuri (u aktivizuan: Moleci, Vukaj, Seferaj) Tr: Fatjon Hasani