Vllaznia duhet me patjetër të nisë punën për të blinduar futbollistët e këtij sezoni, pasi një pjesë e tyre mund të largohen në verë si lojtarë të lirë. Realisht, mbetet një mision i vështirë përpara për të ruajtur grupin në sezonin e ardhshëm, pasi as më pak e as më shumë, por 13-futbollistë janë me “valixhe në duar” për edicionin e ardhshëm, nëse mund të konsiderohet kështu.

Nga titullarët, kapiteni Erdenis Gurishta është një nga ata futbollistë që në fund të këtij sezoni, mund të firmosë me cilin klub të dëshirojë, teksa nuk ka munguar interesi nga klube në kampionate më të forta.

Humbja e kapitenit Gurishta do të ishte e dhimbshme për Vllazninë, pasi lëvizjet në mbrojtje janë gjithnjë të tilla. Poashtu, sa i takon repartit të prapavijës tek kuqeblutë, kontrata u përfundon edhe portierit Zogoviç dhe treshes mbrojtëse, Juriç, Bulatoviç dhe Shehi.

Një tjetër titullar, të cilit i përfundon kontrata në fund të sezonit, është edhe Herald Marku. Mesfushori shkodran i lindur në Laç iu bashkua kuqebluve në verë, por firmosi kontratë për vetëm një sezon, me opsionin e rinovimit edhe për një tjetër vit, nëse të dyja palët janë dakord. Gjithsesi, dëshira e Markut është padyshim transferimi në një kampionat të fortë jashtë vendit dhe paraqitjet e mira e ndihmojnë ta arrijë këtë.

Ndërkohë, edhe Fjoart Jonuzit, Liridon Latifit, Ardit Hoxhajt, Ante Aralicës, Elvedin Heriç, Arsid Krujës dhe Kainës iu mbaron kontrata në fund të këtij sezoni. Të gjithë këta janë futbollistë me vlera, që gjithsecili prej tyre ka rëndësinë e tij në repartet ku ata luajnë.

Megjithatë, në vazhdim mbetet për t’u parë edhe e ardhmja e këtyre 13-futbollistëve të Vllaznisë, të cilët janë me “valixhe në duar”, pasi janë në skadencë kontrate në fundin e sezonit. /Maringlen ZHIVANI/

Futbollistët pa kontratë në fund të sezonit: Bojan Zogoviç, Erdenis Gurishta, Marko Juriç, Darko Bulatoviç, Fjoart Jonuzi, Herald Marku, Liridon Latifi, Ardit Hoxhaj, Ante Aralica, Dajan Shehi, Elvedin Heriç, Arsid Kruja, Kaina