Trajneri i ri i Inter Majamit, Gerardo “Tata” Martino, siguroi të premten, në konferencën e tij prezantuese për shtyp, se ka folur me Lionel Mesin dhe Serxho Busketsin dhe se janë dakord për sfidën që i pret kur të vijnë në Majami në mënyrë që skuadra të jetë e suksesshme.

Por Tata Martino theksoi se as Mesi dhe as Buskets nuk e kanë luksin për të qenë të privilegjuar për shkak të emrit dhe historisë së tyre në botën e futbollit.

“Ata vijnë si kampionë bote, si kampionë në ligën spanjolle, nuk janë futbollistë që do të vijnë këtu për të mos garuar, nuk do t’i japin vetes atë luks sepse e mbajnë në gjak”, shtoi ai.

Martino e ka trajnuar Leo Mesin te Barcelona në sezonin 2013- 2014 dhe në skuadrën argjentinase (2014-2016). Ai gjithashtu përkoi me Buskets në kohën e tij te Barcelona.