Trajneri shkodran, Samuel Nikaj, konfirmohet te Pogradeci edhe për sezonin 2023-2024. “Panorama Sport” mëson se ditët e fundit ka pasur një takim në ambientet e stadiumit “Gjorgji Kyçyku” mes kryetarit të Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, dhe administratorit të klubit liqenor, Nesti Binishi.

Pas bisedimeve është rënë dakord që drejtimi i skuadrës t’i besohet sërish Samuel Nikajt dhe ndihmësve të tij, Kopi Çerepi dhe Altin Lipo.

Mësohet se stërvitja do të nisë më 15 korrik, ndërsa pritet të ketë ndryshime në organikën e lojtarëve. Natyrisht që do të ketë largime, por edhe afrime cilësore, ndërsa do të ketë një vëmendje më të madhe edhe ndaj lojtarëve të akademisë. Synimet janë po të njëjta si sezonin e kaluar: ngjitje në Kategorinë e Parë.

Mbetet për t’u parë tashmë se çfarë skuadre do të ndërtojë Nikaj, me synimin për të arritur objektivin e shumëkërkuar nga opinioni sportiv, por edhe vetë stafi drejtues.

Ndërkohë, vlen të theksohet se konkurrenca pritet të jetë sërish e madhe, pasi në grupin B ku mendohet të luajë sërish Pogradeci, do të jenë skuadra me traditë si Luftëtari, por gjithashtu Turbina apo Oriku, që zbritën këtë sezon në të dytën. Megjithatë, FSHF nuk e ka bërë ende ndarjen e grupeve, ndërsa gjasat janë që kampionati të nisë në mesin e muajit shtator.