Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj më në fund është futbollist i klubit Sepahan të Iranit. Ai mbrëmjen e së hënës ka marrë leje-kalimin nga klubi shkodran pikërisht në limitet e mbylljes së merkatos në këtë vend. Nëse tek ne është data 31 janar si e fundit e lëvizjes së futbollistave, në Iran ka qenë data 23 por disa pengesa dokumentacioni, kryesisht për faj të klubit iranian, çuan ndoshta në dështimin e kësaj lëvizje megjithatë në fund është mbyllur me sukses. Për të zgjidhur këtë ngërç, në Shkodër për dy ditë me rradhë ka qenë edhe menaxheri që ka çuar Sukajn tek kjo skuadër, shqiptaro-maqedonasi Rexhepi. Ka qenë pikërisht ai që për gazetën online “shkodrasport.com” do të bënte të ditur edhe disa nga kushtet e kontratës së sulmuesit shkodran me këtë skuadër.

“Sukaj ka firmosur për 18 muaj me këtë skuadër, pikërisht aq sa i zgjat edhe kontrata trajnerit kroat Kranjçar, njeriut që ka ngulur këmbë ta marrë në skuadër atë. Lojtarit i është paguar një shumë goxha e konsiderueshme të hollash në dorë në momentin e firmosjes së kontratës ndërsa pjesën tjetër do ta marrë me anë të rrogave mujore. Mendoj se ka një kontratë shumë të mirë. Përveç kësaj, klubi do t’i japë edhe një shtëpi për të banuar sapo ai të marrë bashkëshorten dhe vajzën e tij me vete e po ashtu, ka edhe një makinë në dispozicion”-ka thënë Rexhepi. Klubi i Sepahanit është ndër më të pasurit në Iran dhe sponsorizohet nga një kompani e madhe hekuri e cila ka filialet e saj në shumë vende të botës. Përveç parave që Sukaj do marrë cash dhe si rroga, në kontratë e ka të shkruar edhe marrjen e një premioje të madhe nëse skuadra e tij renditet në vendet e para në fund të kampionatit. “Nëse Sepahan zë vendin e parë ose dytë, vende këto që e çojnë këtë skuadër në Ligën e Kampioneve të Azisë, Sukaj do përfitojë edhe një bonus prej 20 mijë dollarësh. Nëse zë vendin e tretë, të cilin kjo skuadër e mban aktualisht, atëherë bonusi do jetë 10 mijë dollarë për sulmuesin 24 vjeçar nga Shkodra. Përveç kësaj, ka edhe të tjera shpërblime dhe prandaj e thashë se kjo është një kontratë shumë e mirë e këtij futbollisti”-ka vijuar më tej në prononcimin e tij menaxheri shqiptaro- maqedonas Rexhepi. Sukaj në fakt ka bërë një kapërcim të rëndësishëm në karrierë edhe në aspektin financiar sepse nga 35 mijë euro që merrte tek Vllaznia në sezon, tashmë do përfitojë gati 230 mijë dollarë. Gati 5 herë më shumë, pa përmendur edhe favoret e tjera që ka një kontratë e tillë. E vetmja gjë jo e mirë është distanca e largët me familjen megjithatë marrja e gruas dhe vajzës me vete, do ta ndihmojnë atë për t’u ambjentuar me atë jetesë atje dhe për të treguar vlerat e tij në fushën e lojës. Nesër luhet ndeshja Naft Teherean- Sepahan dhe me shumë mundësi Sukaj do jetë në 18-she për skuadrën e tij. Shpresojmë në një nisje të mbarë të këtij futbollisti me këtë skuadër.

 

www.shkodrasport.com