Shkëlzen Gashi u hoq nga lista e Colorado Rapids për sezonin e ri në MLS, ndaj sulmuesi shqiptar nuk mund të luajë. Megjithatë, ish-lojtarit të kombëtares kuqezi i shkon gjithçka vaj, edhe në këtë situatë absurde, sepse klubi i tij do t’ia paguajë pagën prej 1.7 milionë dollarë deri në fund të sezonit.

Në kushtet e një lirie të plotë, Gashi ka mundësinë të udhëtojë jo vetëm nga shteti në shtet, por edhe nga kontinenti në kontinent, për të takuar shokë e miq të tij, për të bërë vizita në klube futbolli, që i ka pasur fiksim. Kështu ka ndodhur së fundi me 30-vjeçarin, që ka vizituar Barcelonën.

Në këtë qytet ka pasur “një udhë e dy punë”, si i thonë fjalës. Ka ndjekur stërvitjen e kampionëve të La Liga-s, të emrave të tillë si Lionel Messi, Luis Suarez etj., por edhe është takuar me një nga miqtë e vet më të mirë. Fjala është për kroatin e Barcelonës, Ivan Rakitic. Pikërisht me këtë të fundit ka pozuar, duke ndërruar fanellat me njëri-tjetrin.

Gashi i ka dhënë kroatit fanellën kuqezi, me numrin 11, të nënshkruar prej tij, ndërsa Rakitic ia ka kthyer kusurin me numrin 4 të Barcelonës. Foton e ka hedhur në llogarinë e tij në Instagram, duke e shoqëruar me statusin: “Faleminderit shumë Brother @ivanrakitic! Ju uroj më të mirën për nesër dhe në Champions! #Rakitic #Gashi”./telesport/