Dinamo nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin. Kryeqytetasit renditen në vendin e shtatë me 15 pikë, shumë larg pritshmërive.
Trajneri i kësaj skuadre, Bledi Shkëmbi ka dhënë një intervistë të gjatë për Skaner në Mcn Tv, ku ka folur për ecurinë në pjesën e parë të edicionit, probleme të ndryshme, merkato në hyrje apo dalje, e shumë e shumë tema të tjera.
Shkëmbi tha se ka patur sulmime nga jashtë për të zënë vendin e punës së tij. Ai tha se i ka pritur vështirësitë e fillimit, teksa mohoi të këtë ka patur presion nga klubi.
“Ishte një gjysmë sezoni i dobët. E prisja që do të ishte e vështirë. Të mos harrojmë, kjo nuk është një justifikim, por është një e vërtetë. Ata që merren me sport, e dinë që të fillosh diçka nga zero dhe të bëhet shumë mirë për 4 muaj, nuk mund të bëhet.
Nuk e mendoja që në disa javë, do të ishim në nivele shumë të dobëta. Kemi bërë një analizë, të gjithë bashkë. Deri diku i kemi kuptuar problemet që kemi pasur. Sa i përket qetësisë, mendoj se gjithmonë kam qenë i qetë dhe gjakftohtë.
Njerëz të veçantë më kanë gjykuar nga jashtë, duke mos i ditur gjërat fare se çfarë bëhet, apo edhe me dëshirat e ndonjë njeriu për të qenë në vendin tim, gjë të cilat unë i kuptoj, por mënyra e të folurit apo gjykuarit, ka qenë për të ardhur keq. Nuk kam dashur ta shpreh. Unë di shumë mirë që në futboll, vetëm rezultati i rregullon gjërat.
Sulm nga jashtë për të marrë vendin e trajnerit te Dinamo? Po kështu është e vërtetë. Me dashje apo pa dashje, kanë sulmuar edhe klubin me pozicionin tim. Edhe unë do të vijë një moment kur do të dua të jem trajner i X klubi, por gjithmonë këtë duhet ta bësh me korrektësi. Unë nuk jam nga ata që jam bërë futbollist me mik.
Trajner jam bërë duke më dhënë shansin presidentët, nga ajo çka kam bërë si futbollist.Hasanbelliu dhe Bardhi më kanë dhënë mundësinë për të qenë në krye të Teutës, trajner i një ekipi të mirë. Durrskët u futën në Europë dhe viti im i parë në Shqipëri ishte i suksesshëm. Mua më kanë kërkuar, nuk kam futur mik për punën.
Unë i dij përgjegjësitë e mia. Një lojtar nuk ka ardhur se nuk kam dashur unë. E njëjta gjë vlen për afrimet. Nuk diskutohet që kemi bërë gabime. Mbase kemi besuar te një lojtar. Duke parë nga brenda është ndryshe dhe nga jashtë është ndryshe. Unë mendoj se kam bërë gabime. Mungesa e alternativave ka bërë që të vuajmë shumë. Ky është gabimi im pasi mendova se disa alternativa do bënin mirë. Çdo ditë trajneri shikon mundësitë e individëve.
Objektivat- Presidenti na ka thënë që bluza jonë është e rëndë. Nga brenda unë dhe skuadra nuk kemi ndjerë presionin e Presidentit. Emri i Dinamos duhet të ishte i barabartë me objektivat që kemi ne. Nga Presidenti nuk ka patur fjalë që duhet të dilnim kampion patjetër. Ka lojtarë që nuk e përballojnë dot presionin” – tha ai/newsport/