Bledi Shkëmbi, ish-trajneri i Dinamos, ka folur për krizën që po përjetojnë blutë në kampionat dhe ka deklaruar se nuk e kishte menduar asnjëherë se ekipi do të mbërrinte të rrezikonte mbijetesën. Duke folur në “Sport News Plus” në “News 24”, me moderatore Daljana Sejdia, ai shprehu bindjen që ekipi mund të largohej të paktën nga zona e rënies direkte.

“Nuk më vjen mirë kur shoh emrin e Dinamos në këtë pozicion. Ndjej edhe vetë përgjegjësi. Nuk e mendova asnjëherë që kur u largova se do të ishte në këtë situatë. Shpresoj shumë që të ndryshojë situata, ekipi dhe mënyra e të luajturit.

Jam i bindur se aty ka shumë cilësi, edhe lojtarë me eksperiencë të cilët në situata në të vështira duhet të reagojnë dhe nga java anë javë duhet të reagojnë. Ndoshta shumë nuk e besojnë, por personalisht mendoj se të paktën do të arrijnë të shpëtojnë nga vendi i fundit apo i parafundit.

Patjetër që janë bërë shumë gabime, përveç pjesës së fatit, ndoshta që nga merkato që duhej të kishim marrë ndonjë lojtar më shumë apo tjetër nga këta që kanë ardhur se mendoj që aty fillon. Por Dinamo ka bërë merkato kur nuk ka pasur asnjë lojtar dhe është bërë çdo gjë nga zero.

Dhe jo gjithmonë lojtarët që kemi dashur nuk kanë dashur apo kanë patur mundësinë të vijmë, ndaj mbetet me ata që kemi aty. Pastaj nuk është vetëm problemi i lojtarëve por edhe stafit, duke futur edhe veten, por edhe mënyrën se si funksionon klubi apo menaxhimin.

Këtu veçoj presidentin i cili është njeriu i cili ka ndoshta më pak faj apo gabime se nga ana financiare ka qenë dhe është shumë korrekt me sa di akoma”, tha Shkëmbi.