Në futbollin shqiptar nuk ka shumë diferenca në cilësinë e lojtarëve, por vetëm në shpirtin e garës dhe mënyrën si e vlerësojnë një ndeshje lojtarët”- ky është mendimi i ish- arbitrit të njohur, tashmë në rolin e analistit Mhill Shkëmbi.
Në një prononcim të dhënë gjatë emisionit “Sport Shoë”, ai është ndalur edhe tek ndryshimet e fundit në skuadrën kuqeblu, teksa shpreson se më në fund do të ketë lajme të mira për një ecuri pozitive të Vllaznisë, pas shumë vitesh vuajtje.
“Konstatoj një organizim krejt tjetër të klubit dhe të skuadrës, ka më shumë seriozitet, më shumë përkushtim. Në pamje të parë edhe shumë profesionale, por se sa e suksesshme dhe profesionale ka qenë kjo merkato, këtë do ta mund ta shohim pas 3-4 ndeshjeve të para zyrtare të Vllaznisë.
Nëse marrim në analizë ndeshjet që kanë zhvilluar deri tani, unë gjykoj se Vllaznia është pothuajse si ekipet e tjera. Por kur mendoj se struktura e kampionatit tonë është me 10 skuadra dhe 4-5 prej tyre janë shumë më të fuqishme ekonomikisht se Vllaznia, pa dasht me analizu cilësinë e merkatos apo kontigjentin e lojtarëve që kanë ato skuadra për të cilat po flas dhe dihet se kush janë, mendoj se situata do të jetë sërish e vështirë për Vllazninë.
Megjithatë gjithçka do të mësohet pas 4-5 ndeshjeve të para për të mësuar se sa e suksesshme ka qenë edhe merkatoja e Vllaznisë. Që ka ardhë koha që Vllaznia me pretendu pse jo edhe për vendin e parë, ka ardhë me kohë, biles jemi shumë të vonuar.
Dikur shkodranët kanë shkuar me biçikletë në Tiranë për të ndjekë Vllazninë, ndërsa tani e kanë stadiumin “Loro Boriçi” të hapur dhe nuk shkojnë, madje edhe pa lekë, e kjo ndodhë prej kësaj situate që po kalon skuadra e tyre. Fanella e Vllaznisë është zhvlerësuar, madje edhe këto që janë sot pjesë e saj, realisht nuk e vlerësojnë aq sa duhet këtë fanellë.
Këtë sezon nuk e dimë ende sa real është ky konstatim, por të paktën në këto 7-8 sezonet e fundit ka qenë e tillë situata. Kemi pasë një mungesë shpirti të garës në fushën e lojës. Nëse Vllaznia ka pasë difekte, gjëja kryesore ka qenë mungesa e shpirtit të garës, pa u ndalë pastaj edhe tek cilësia e lojtarëve.
Unë i vëzhgoj edhe ndeshjet e tjera të ekipeve të Superiores dhe nuk shoh ndonjë diferencë të madhe në cilësinë e lojtarëve. Diferencën e bën thjesht shpirti i garës”- është shprehur Shkëmbi./SHKODRA-SPORT.COM/