Në vigjilje të sfidës së nesërme në kampionat ndaj Tiranës, trajneri i Dinamos, Bledi Shkëmbi ka dalë në konferencë për shtyp ku ka theksuar se fitorja në Kupë ndaj bardhebluve i jep qetësi, megjithatë nesër pret një tjetër sfidë. Sakaq, tekniku, ndër të tjera shprehet se ekipi i tij po rritet dita-ditës.
Fitorja në Kupë ndaj Tiranës- “Kjo fitore na jep më shumë moral dhe qetësi. Jemi të bindur që ndeshja e kampionatit ndryshon nga ajo e Kupës. Në futboll dëmtimet ndodhin, fat i keq për ne, por lojtarët që do të luajnë do të bëjnë mirë.
Ne do të rritemi ditë pas dite, ndeshje pas ndeshje. Vazhdoj të them se kemi bërë një kampionat të mirë sa i përket lojërave, do të donim të kishim më shumë pikë. Kemi humbur pikë edhe për gabimet tona, por në fund të kampionatit çdo ekip do të marrë atë që meriton”.
Mungesat e Tiranës- “Nuk ka favorizim, nuk më intereson kush luan apo mungon te kundërshtari. Janë ekipe që kanë 20 lojtarë dhe lojtarët që luajnë duhet të bëjnë maksimumin”.
Mesazh nga Skuka- “Në futboll fusha tregon, Skuka bëri shumë mirë, por duhet të jemi të gjithë me këmbë në tokë. Ajo që bëri Skuka nuk është gjithçka, duhet të bëjë më mirë ai dhe gjithë ekipi.
Dy ndeshjet e fundit dhe atë të Kupës i cilësoj si ndeshjet më të mira, secili bën analizat e veta, por asnjë nuk e bën si trajneri analizën. Jam i bindur që çdo ndeshje që do të vijë do të jemi edhe më mirë. Dëgjoj që Tirana e nënvlerësoj ndeshjen e Kupës, por ata nuk po luanin me kalamajtë.
Ishalla e nënvlerëson edhe nesër Tirana dhe të na shikojë si të vegjël. Nesër do të jetë një ndeshje tjetër, Tirana do të kërkojë të reagojë, por shpresoj që edhe ne të bëjmë më mirë”, u shpreh Shkëmbi.