Skënderbeu është i gjithi në pritje të lajmeve që do të vijnë nga Shkëndija për sa u përket dy lojtarëve që korçarët presin të mbërrijnë në huazim nga tetovarët. Eliminimi nga Europa, sikundër ishte folur më herët, do të sillte lajme të mira për Skënderbeun që do të priste më padurim dy lojtarët e rëndësishëm në përbërje për ekipin bardhekuq.

Por, duket se gjithçka ndryshoi rrjedhë dhe tashmë siguria nuk është më 100% për sa i përket mbërritjes së Rexhepit dhe Sadriut. Të dy lojtarët kanë qenë pjesë e kontigjentit të klubit tetovar në Kupat e Europës dhe kanë zhvilluar përgatitjet me këtë ekip. Por, largimi pa përmbushur objektivat nga Europa dhe ndryshimi i trajnerit duket se solli problemet e para për klubin korçar.

REXHEPI – Ikja e Ernest Gjokës nga klubi tetovar dhe zëvendësimi me boshnjakun Bruno Akrapoviç dukshëm i ka prishur punë Skënderbeut. Kjo, për vetë faktin se Akrapoviç ka shprehur konsideratë të veçantë në seancat stërvitore për Bekim Rexhepin, gardianin që një sezon më parë bëri mrekulli në Korçë.

Në seancat e para stërvitore, sikundër tregojnë burimet në klubin tetovar, Akrapoviç ka shprehur vlerësimin për portierin, duke e cilësuar si një lojtar të rëndësishëm në pozicionin e tij. Gjithsesi, pritet që të premten të ketë një bisedë mes palëve, ku Akrapoviç dhe Rexhepi do ta ndajnë më mirë të ardhmen e lojtarit. Nëse trajneri kërkon me çdo kusht qëndrimin e tij, atëherë mund të kemi një prapaktheu për gardianin 24-vjeçar që është me sy e veshë nga Korça për momentin.

SADRIU – Ndryshe qëndron situata për sa i përket pozicionit të Leard Sadriut. Mbrojtësi kosovar i Shkëndijës me shumë mundësi do të udhëtojë drejt Korçës, qoftë i vetëm apo edhe me Rexhepin, por vijimi i sezonit për të do të jetë me Skënderbeun.

Vetë Shkëndija duket se e ka lënë të lirë lojtarin ndërsa pranon vetëm huazim pasi për momentin organika është mjaft e ngjeshur. Kjo do të bëjë që Sadriu brenda kësaj jave të jetë në Korçë për t’u bashkuar me ekipin nën drejtimin e Memellit.