Marko Juriç është bashkuar me ekipin e Vllaznisë ditën e sotme në stërvitje. Mbrojtësi kroat është rikthyer me skuadrën në ditën e tretë stërvitore të Vllaznisë, teksa ditën e sotme 28-vjeçari është takuar kokë më kokë edhe me drejtorin sportiv Plori për të marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij.

Ashtu siç e kishte paralajmëruar “Shkodra Sport” pak ditë më parë, Juriç do të rinovojë edhe për një sezon tjetër me Vllazninë, me klubin kuqeblu që i kishte dhënë leje disa ditë më shumë për arsye të një gëzimi familjar.

EKSKLUZIVE / Edhe Marko Juriç drejt rinovimit me Vllazninë

Rikthimi i tij në stërvitje është bërë ditën e sotme, me futbollistin kroat që ka rinovuar tashmë kontratën me Vllazninë. Ose nëse nuk ka ndodhur deri sot, sigurisht që do të ndodhë në ditët në vijim, sepse palët kanë rënë dakord.

Tashmë, ngelet për t’u parë vetëm se cila do të jetë performanca e Marko Juriç në Kupat e Europës dhe në sezonin e ardhshëm në qendër të mbrojtjes. Këtë sezon me Vllazninë, qendërmbrojtësi kroat u aktivizua në 24-ndeshje, ku shënoi edhe një gol ndaj Laçit.
Maringlen ZHIVANI