Vllaznia po vijon pushimet, por një pjesë e skuadrës duhet të mendojë edhe për të ardhmen. Kështu, janë disa futbollistë që e kanë në dyshim qëndrimin te kuqeblutë.

Një pjesë të tyre u përfundon kontrata, ndërsa të tjerë nuk kanë arritur të kënaqësin drejtuesit me paraqitjet e tyre dhe mund të largohen, për t’u hapur rrugën të tjerëve që do të vijnë.

Megjithatë, ka edhe të tjerë, që pritet të rinovojnë. Kështu nga burime të “Shkodra Sport” pranë drejtuesve mësohet se, qendërmbrojtësi Marko Juriç është drejt rinovimit me Vllazninë edhe për një sezon tjetër.

Kroati, i ardhur te Vllaznia me një CV të mirë, nuk e nisi në mënyrën e duhur këtë sezon. Megjithatë, ai ishte një titullar i palëvizshëm dhe element kyç në lojën e skuadrës, teksa me kalimin e ndeshjeve dhe me rritjen e tensionit, lindi nevoja edhe për eksperiencën e Juriç në qendër të mbrojtjes.

Me të në fushë, skuadra mund të luante edhe me tre mbrojtës, duke i dhënë mundësinë trajnerëve të ndryshonin herë pas here edhe skemën e lojës. Nga burime të “Shkodra Sport” pranë drejtuesve mësohet se, në kontratën e Juriç ekziston opsioni për të rinovuar edhe një vit tjetër dhe palët janë drejt arritjes së akordit për të aktivizuar këtë gjë.

Ndoshta, vazhdimi me Marko Juriç mund të jetë një lajm i mirë për shkodranët. Megjithatë, një gjë të tillë do ta tregojnë në vazhdimësi paraqitjet e tij në fushën e lojës.
Maringlen ZHIVANI