Tradita e shpalljes së “10 Sportistëve më të mirë të vitit” sivjet duket se nuk ka vijuar me shpalljen e më të mirëve. Të paktën dhjetori po mbyllet pa e zhvilluar këtë ceremoni tradicionale dhe mbase ajo do të bëhet gjatë janarit.
Por ndërkohë “Shkodra Sport” nga sivjet ndërmerr një inisiativë që me siguri do të vijojë edhe në vitet e ardhshme: Do të shpallë 10 personalitetet e vitit të sportit shkodran. E këtu nuk jemi ndalur vetëm tek sportistët, por kemi përfshirë edhe trajnerët, drejtuesit, presidentët, ekipet, pse jo në të ardhmen do të ketë vend edhe për gazetarët, tifozët etj.
Po kush janë 10 personalitetet e sportit shkodran të vitit 2019? T’i shohim më poshtë:
1. MEGI DOÇI
Vjen pas një titulli simbolik të marrë gjatë vitit të kaluar kur u shpall golashënuesja më e mirë në Botë dhe me siguri, me golat e shënuar gjatë vitit 2019 do të jetë sërish në mes më të mirave. Udhëhoqi Vllazninë drejt fitimit të titullit të 6-të kampion dhe po ashtu edhe të Kupës së 6-të të Shqipërisë dhe ajo çka është më e rëndësishmja, ka ndihmuar Vllazninë e futbollit të femrave të arrijë suksesin historik, kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës.
2. FRANKO BURRAJ
Viti që sapo lamë pas mund të konsiderohet më i sukseshmi në karrierën e tij. Ka thyer rekordin kombëtar të 200 metrave, rekord ky që ishte vendosur plot 21 vite më parë. Po ashtu, përmirësoi sërish rekordin kombëtar të garës së 400 metrave. Burraj është shpallur kampion kombëtar në tre disiplina, në 200 dhe 400 metra si dhe në stafetën 4 x 100 metra.
Po gjatë këtij viti ka marrë medaljen e artë dhe ka zënë vendin e parë në Kampionatin Europian të shteteve të vogla që u zhvillua në Maqedoni me pjesmarrjen e sportistëve nga 15 shtete të ndryshme. Ka marrë medalje bronzi në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura të zhvilluara në Turqi në muajin shkurt, medalje ari në turneun ndërkombëtar të zhvilluar në Greqi gjatë muajit korrik dhe vend të pestë në Europë në kampionatin europian U23.
3. LAZER MATIJA
Një vend në mes personazheve të vitit padyshim që e meriton edhe presidenti i ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë Lazer Matija. Me ekipin e tij ai më në fund arriti gjatë këtij viti të koleksionojë suksesin historik: Kualifikimin për në 32 ekipet më të mira të Europës pas vendit të parë të zënë në grup në ndeshjet e Ligës së Kampioneve të Europës.
Një sukses i madh i futbollit tonë, që vlen falë investimit dhe punës së palodhur të tij prej vitesh. Ndërkohë në garat kombëtare, Vllaznia ka fituar titullin e 6-të rradhazi kampion dhe po ashtu edhe kupën e 6-të rradhazi. Një ekip që për më tepër ka shtatë vite që vetëm fiton dhe padyshim që meritën kryesore për këtë gjë e ka presidenti Matija.
4. VLLAZNIA BOKS
Nuk evidentuam asnjë pjestar të këtij ekipi dhe as ndonjë nga trajnerët. Veçuam Vllazninë e boksit si ekip i cili gjatë vitit 2019 fitoi titullin e 23-të kampion. Më shumë se çdokush tjetër. Pavarësisht vështirësive, largimeve të sportistëve dhe problemeve të tjera, ky ekip vazhdon t’ia dalë dhe të jetë sërish kampion duke qenë krenaria e sportit në Shkodër. Padyshim që e meriton një vend në mes personaliteteve sportive të vitit.
5. BRUNO RROTANI
Kur folëm pak më lart për rezultatet e larta që ka arritur atleti Franko Burraj gjatë vitit 2019, kuptohet që një pjesë e rëndësishme e këtyre sukseseve i takon edhe trajnerit të tij Bruno Rrotani. Dhe jo vetëm për këtë. Duke qenë një nga pesë trajnerët që punon tek ekipi i Vllaznisë, ka dhënë kontributin e tij në fitimin e titullit të 11-të kampion rradhazi me këtë ekip gjatë këtij viti. Meriton vlerësim dhe respekt dhe jo më kot e kemi përzgjedhur si një tjetër personazh i vitit.
6. FRANC ASHIKU
Në muajin shtator është shpallur kampion i Shqipërisë në garat e kampionatit kombëtar individual të zhvilluara në Tiranë. Arriti të sfidonte shumë Mjeshtra që ishin pjesmarrës në të duke treguar një nivel shumë të lartë dhe kësisoj fiton titullin e tij të dytë personal gjatë karrierës së tij dhe të parin me Vllazninë. E meriton një vend në mes personazheve të vitit 2019.
7. ELSIDITA SELAJ
Sukseset e kësaj boksiereje kanë vijuar edhe gjatë vitit 2019. Pas medaljes së argjendtë në kategorinë U18 të fituar një vit më parë, këtë herë ajo arriti të zërë vendin e tretë dhe të meritojë medaljen e bronztë në Kampionatin Europian U22 që u zhvillua në muajin mars në Rusi. Sëbashku me trajnerin Jetmir Kuçi premtojnë shumë suksese edhe në të ardhmen dhe padyshim që Selaj e meritonte një vend në personazhet më të spikatura të sportit shkodran gjatë këtij viti.
8. ALBAN XHAFERI
Një vend mes personazheve të vitit meriton edhe Alban Xhaferi, presidenti i basketbollit të Vllaznisë. E meriton për të vetmen arsye se po tenton të rikthejë sukseset e këtij sporti me investimet që ka bërë. Në rradhë të parë e shpëtoi ekipin e meshkujve nga rënia prej superligës kur dukej fakt i kryer dhe në kampionatin aktual arriti ta shndërronte tërësisht ekipin në pretendent tashmë. Vazhdon të investojë fuqishëm dhe me shumë siguri, ky invesim shpejt do të sjellë edhe trofetë.
9. LEONAT KOLA
Pak vite më parë çiklizmi shkodran ishte në prag të shkrirjes. U nis një projekt serioz dhe iniciatori i tij është pikërisht personazhi i këtij viti, trajneri Leonat Kola. Prej disa vitesh, rezultatet kanë ardhur duke u rritur dhe tashmë është çudi nëse ka ndonjë garë që nuk fitohet nga çiklistët shkodranë. Viti 2019 ka qenë më i suksesshmi sepse Vllaznia e çiklizmit ka triumfuar me të gjitha grupmoshat, nga paratërinjtë, të rinjtë dhe të rriturit. Prandaj dhe Kola e meriton të jetë një nga personazhet e vitit.
10. ARTAN DURRAJ
I fundit nga të përzgjedhur në listën e personazheve të vitit (jo nga rëndësia) është trajneri i hendbollit të Vllaznisë Artan Durra. Ka meritën e jashtëzakonshme të ringritjes së këtij sporti dhe gjatë vitit 2019 arriti suksesin e madh: Riktheu titullin kampion në Shkodër pas plot 13 vitesh mungesë. Një sukses që padyshim do të vazhdojë edhe në të ardhmen e kjo bazohet tek puna e shkëlqyer që Durraj vazhdon të bëjë bashkë me sportistët e tij çdo ditë.