Mëngjesin e sotëm janë nisur drejt Italisë gjashtë ekipe futbolli të cilat do të marrin pjesë në turneun ndërkombëtar “Citta della Pace” që zhvillohet çdo vit në Roveretto. Si zakonisht, “Atletik Klub Shkodra” merr pjesë tradicionalisht në këtë turne dhe e sivjetmja është pjesmarrja e tetë, ku nuk kanë munguar edhe sukseset.

Duke folur përpara nisjes, drejtuesi i kësaj shoqate Elton Bungaja është shprehur: “Kjo është pjesmarrja e tetë e jona në këtë turne ndërkohë që sivjet jemi të kompletuar me të katër grupmoshat, duke filluar nga U11, U13, U15 dhe risia është U17. Por sivjet na janë bashkuar në këtë pjesmarrje edhe dy ekipe të tjera, ai U11 i Rrëshenit dhe ekipi i futbollit të femrave “Juban Danja”.

Kuptohet që do të jetë një eksperiencë e mirë për të gjithë këta fëmijë pjesmarrja në një turne të tillë, por padyshim që kemi edhe objektivat tona. Në fakt, do të luajmë me një datëlindje më të vogël dhe kjo mbase ndikon, megjithatë besoj se ekipet tona do të bëjnë një futboll të bukur dhe do të paraqesin vlerat të mira të futbollit shqiptar edhe në këtë turne”.

Ndërkohë presidenti i “Juban Danja” Ferdinand Jaku është shprehur: “Kjo është një eksperiencë e re për në dhe padyshim që ia vlen të marrësh pjesë në një turne të tillë. Kemi disa probleme dëmtimesh në skuadër megjithatë sërish do mundohemi të paraqitemi sa më mirë sepse është një eksperiencë e bukur dhe “Juban Danja” do mundohet të lërë gjurmët e saj në këtë turne”.
© shkodrasport.com