Nga Maringlen ZHIVANI
Notari i Future Sports Academy Shkodër (FSASH), Arbër Hysaj, ka dhuruar një paraqitje të jashtëzakonshme në takimin ndërkombëtar të notit “International Swim Meet Santa Claus – Talent Cup 2025”, zhvilluar më 28 dhjetor 2025 në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Hysaj garoi në 4 disiplina, duke siguruar në total 6 medalje, prej të cilave 3 të arta, 2 të argjendta dhe 1 të bronztë. Rezultatet e tij ishin si më poshtë:
50 m stil i lirë – Medalje Ari
50 m stil i lirë (Kategoria Open) – Medalje Argjendi
100 m stil i lirë – Medalje Ari
50 m delfin – Medalje Ari
50 m delfin (Kategoria Open) – Medalje Bronzi
50 m shpinë – Medalje Argjendi
Një arritje e veçantë u regjistrua në 50 metra stil i lirë, ku Arbri vendosi rekord të ri kombëtar për grupmoshën 13–14 vjeç, me kohën 25.30 sekonda, duke thyer rekordin e mëparshëm të Lajdi Allaraj (25.58 sekonda).
Ky rekord i ri, së bashku me atë të 100 metrave stil i lirë të vendosur në nëntor, e konfirmojnë Hysajn si notarin më të mirë shqiptar në këto dy stile për grupmoshën e tij.
Në renditjen e përgjithshme sipas pikëve për sportistët e moshës 13–14 vjeç, ai u pozicionua në vendin e dytë me 1396 pikë, duke përforcuar edhe njëherë talentin dhe perspektivën e tij në notin shqiptar.


