Arlind Kalaja është lojtari i parë që ka zyrtarizuar divorcin me skuadrën e Kastriotit. Mesfushori shkodran ka zgjedhur t’i japë fund aventurës me ekipin e drejtuar nga Bledar Devolli e tashmë do të kthehet te Kukësi, skuadër nga e cila u huazua në drejtim të Kastriotit.

Performanca e treguar me krutanët nuk ka qenë në nivelin që pritej, megjithatë cilësitë e Kalasë njihen. Me skuadrën e Kastriotit, mesfushori është aktivizuar në 11 ndeshje, teksa s’ka arritur të shënojë asnjë gol. Kujtojmë që te krutanët Kalaja kaloi në formë huazimi në merkaton e janarit nga Kukësi.

Kastrioti luan ndeshjen e fundit kundër Kukësit, megjithatë mbijetesa duket objektiv mjaft i vështirë pasi duhet të fitojë ndaj verilindorëve, por gjithashtu të shpresojë në një hap fals të Tiranës./newsport/