Vllaznia e hendbollit është shpallur pas 13 vitesh kampione e Shqipërisë. Një titull mëse i merituar i këtij ekipi që prej vitesh lufton për një sukses të tillë dhe më në fund ia doli.

Në këtë sukses kanë dhënë një kontribut të madh të gjithë sportistët por sot do të ndalemi tek njëri prej tyre, ai me numrin 1- portieri Joni Egerçi.

Me pritjet e tij sidomos në finalen e dytë, ai ka qenë një nga protagonistët kryesorë të fitores që çoi më pas edhe në marrjen e trofeut. Jo më kot, Egerçi ka marrë edhe vlerësimet e trajnerit Artan Durro i cili është shprehur kështu për të:

“Joni Egerçi është vetëm 17 vjeç e gjysëm, por është shndërruar në një pikë të fortë të Vllaznisë. Ai ka vetëm dy vite që merret me këtë sport dhe nga dita në ditë ka treguar rritje të jashtëzakonshme dhe në finalen e dytë ka qenë “heroi” i skuadrës tonë me pritjet e tij”

Vetë portieri në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” shprehet i lumtur për këtë sukses të arritur dhe bën edhe një premtim shumë të këndshëm për të ardhmen: “Jam shumë i lumtur që arrita të shpallem kampion me Vllazninë. Natyrisht që janë emocione të mëdha të provosh të tilla suksese dhe premtoj që do të vazhdoj edhe për shumë vite të tjera të jap kontributin tim për Vllazninë në mënyrë që ajo të fitojë edhe të tjera trofe”
© shkodrasport.com